TIRANE - Misioni i ODIHR publikon në faqen zyrtare dokumentin, të titulluar “Fletë informacioni” në lidhje me aktivitetin e 400 vëzhguesve afat shkurtër në Tiranë. Në këtë dokument të përbërë nga 9 faqe bëhet e qartë koha e vëzhguesve afat shkrutër në Tiranë, detyrat që kanë, çfarë duhet të pajisen me vete dhe sa është kostoja e secilit prej vëzhguesve.
 
ODIHR parashikon mbërritjen në Shqipëri të 400 vëzhguesve më 19 qershor dhe mbylljen e misionit më 27 qershor, pra 4 ditë pas ditës së mbajtjes së zgjedhjeve.
 
KOSTOJA DHE SHPENZIMET
 Çdo njëri prej vëzhguesve do të paguhet 4415 euro për misionin e tij, nga të cilat 2075 euro do të paguhen dietat, udhëtimet fjetjet, përkthyesi, ndërsa 2075 euro është pagesë në dorë nga shteti. 

Në total kostoja e  pagesës së 400 vëzhguesve do të jetë 1 766 000 euro. Këtu nuk futen shpenzimet operative apo pagesat e misionit afatgjatë.
 
Shumica më e madhe e parave që paguhen vëzhguesit merren nga vendet pjesëmarrëse, financuese të misioneve zgjedhore.  Financuesi kryesor mbetet SHBA e cila do të japë edhe një fond shtesë prej 1 milionë dollarësh për vëzhgimin e zgjedhjeve nëpërmjet vëzhguesve të ambasadës, mbështetjen e vëzhguesve vendorë por dhe fushatës së sensibilizimit.
 
KANDIDATET, EKSPERTË NË NUMËRIMIN E VOTAVE
Në raport thuhet dhe kriteret  që duhet të kenë vëzhguesit, një prej tyre është se ata duhet të kenë eksperiencë në procesin e numërimit të votave dhe tabulimit të rezultateve zgjedhore.  Ky element është i rëndësishëm duke qenë se se kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve është bërë pikërisht bazuar mbi dyshimet për këtë proces. Vëzhguesit afatshkurtër duhet të jenë të aftë të punojnë në kushtet të vështira dhe me orë të zgjatura, dhe nuk duhet të ketë asnjë angazhim konkurrent me punën. Aplikimet janë hapur që më 23 maj dhe do të mbyllen më 10 qershor. Vëzhguesit do të shpërndahen në 89 KZAZ të vendit. Dokumenti bën të qartë se do t’i hiqet akreditimi cdi vëzhguesi afatshkurtër që ka konflikt interesi me detyrën e monitorimit të zgjedhjeve.
 
PAJISUNI ME ELEKTRIK DORE
Në dokumentin e informacionit përveç të tjerave u këshillohet vëzhguesve të sjellin elektrik dore me bateri rezervë, në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike.  ODIHR ka sjellë në Shqipëri misionin e vëzhguesve afatgjatë të përbërë nga 30 persona. Misioni afatgjatë i ODIHR mbërriti në mesin e majit. Shefja e këtij misioni është amerikania Conny McCormack. Ndërkohë që parlamentari slloven Roberto Batelli do të jetë në krye të vëzhguesve afatshkurtër.
(sg/shqiptarja.com)