Bosnje e Hercegovina është gjithnjë e më afër investimeve të mëdha amerikane. Tubacione gazi, termocentrale me gaz, modernizim i aeroporteve, telekomunikacione dhe bursë e re. Të gjitha janë projekte me vlerë prej miliarda eurosh që mund të ndryshojnë hartën ekonomike të vendit.

Ky impuls amerikan vjen në një moment kur kompanitë kineze po përfshihen gjithnjë e më shumë në projekte infrastrukturore në rajonin e varur nga energjia ruse.

Ambasada e SHBA-së në Sarajevë muajt e fundit nuk e ka fshehur përpjekjen për të tërhequr investitorë, duke theksuar se ekziston një interes real ekonomik dhe sigurie që ka mbështetje politike.

“Investimet amerikane mund të sigurojnë një përparim në sektorët kyç, para së gjithash në ndërtimin e infrastrukturës që do të tërheqë edhe investime të tjera të huaja”, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë, Azra Haxhiahmetoviq, profesoreshë në Fakultetin e Ekonomisë në Sarajevë.

Tubacioni i gazit që pritet prej dy dekadash

Interesi më i madh amerikan muajt e fundit është përqendruar në projektin e Ndërlidhjes të Gazit të Jugut, një tubacion të ri nga Bosnja e Mesme drejt terminalit në ishullin kroat Kërk, i planifikuar më shumë se 20 vjet më parë.

Tubacioni do të mundësonte diversifikimin e furnizimit dhe do të reduktonte varësinë gati pesëdhjetëvjeçare të Bosnje e Hercegovinës ekskluzivisht nga gazi rus.

Interes për investim ka shfaqur kompania amerikane AAFS Infrastructure and Energy LLC, e themeluar në fund të vitit të kaluar.

Drejtori është Jesse Binnall, ish-anëtar i ekipit ligjor të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe zëvendës-drejtori Joseph Flynn, i cili ka një vëlla, Michael, si ish-këshilltar për sigurinë kombëtare e Trumpit. Ata zhvilluan bisedime me autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës në mes të janarit.

Për ndërtimin e tubacionit, e interesuar është edhe Korporata Bechtel, përfaqësues të së cilës vizituan gjithashtu Bosnje dhe Hercegovinën.

Aktualisht, Bosnje dhe Hercegovina merr më pak se pesë për qind të energjisë nga gazi, i cili përdoret kryesisht për ngrohjen e banesave në Sarajevë dhe disa qytete të vogla, si dhe për industrinë e lidhur me hekurudhën në Zenicë.

Pavarësisht konsumit relativisht të vogël të këtij energjenti, rëndësinë e projektit e kanë theksuar edhe anëtarët e Këshillit për Dominancën Energjitike të SHBA-së, ministrat amerikanë të resurseve dhe energjetikës, Doug Burgum dhe Chris Wright, të cilët diskutuan për këtë me zyrtarë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia në Athinë më 7 nëntor.

Tubacioni do të lidhë Bosnje dhe Hercegovinën me rrjetin kroat dhe terminalin e gazit të lëngshëm (LNG) në ishullin Kërk, ku afërsisht 60 për qind e gazit vjen nga SHBA-ja, ndërsa pjesa tjetër nga Lindja e Mesme.

Në të ardhmen, Ndërlidhja e Gazit të Jugut mund të lidhet në jug me Tubacionin Trans-Adriatik, të planifikuar drejt Malit të Zi, Shqipërisë dhe rajonit të Kaspikut.

Termocentralet me gaz

Investitorët amerikanë po bisedojnë me autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës edhe për ndërtimin e termocentraleve me gaz në Mostar, Kakanj dhe Tuzlla.

Shumica e energjisë elektrike në Bosnje dhe Hercegovinë vjen nga termocentralet me qymyr, pjesa tjetër nga hidrocentralet, dhe pak nga panelet diellore dhe parqet e erës. Taksa e BE-së mbi “energjinë e ndotur” e vendosur këtë vit rëndon pjesën e ekonomisë që ka orientim eksportues.

Termocentralet në Bosnje dhe Hercegovinë kanë mesatarisht 40 vjet që janë ndërtuar, konsumojnë më shumë qymyr, prodhojnë më pak energji dhe shpesh dështojnë, ndërsa kompanitë elektroenergjitike importojnë energji dhe operojnë me humbje.

Me termocentralet e reja me gaz mund të lehtësohet problemi pas mbylljes së plotë të termocentraleve me qymyr, çka Bosnja dhe Hercegovina është angazhuar ta bëjë deri në vitin 2050.

Koncesione mbi aeroporte dhe ndërtim autostradash

Kompanitë amerikane kanë shfaqur interes edhe për koncesione mbi aeroportin në Sarajevë, që është në pronësi të Qeverisë së Federatës, dhe në Mostar, në pronësi të qytetit.

Delegacioni i Bechtel, kompanisë së njohur amerikane të inxhinierisë dhe ndërtimit, vizitoi Bosnje dhe Hercegovinën dhe u takua me autoritetet në janar 2026, duke shfaqur interes për tubacionin Ndërlidhja e Gazit të Jugut, si dhe për ndërtimin e autostradave.

Në Bosnje dhe Hercegovinë janë ndërtuar rreth 250 kilometra autostradë, krahasuar me më shumë se 1.300 kilometra në Kroaci dhe rreth 1.000 kilometra në Serbi.

Entiteti i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës po ndërton me kredi evropiane autostradën nga jugu drejt veriut, ndërsa Republika Sërpska, përveç autostradës së ndërtuar nga Banjalluka deri në Dobojë, po ndërton disa segmente më të shkurtra, ku punimet kryhen nga kompani kineze.

Kush do të financojë projektet?

Mbështetje projekteve u ka dhënë Agjencia amerikane për Tregti dhe Zhvillim (USTDA), këshilltari ligjor i së cilës, Sam Kwon, vizitoi Sarajevën në mes të janarit.

Agjencia USTDA nuk investon direkt, por financon studime të fizibilitetit, përgatitje teknike dhe punon në lidhjen me investitorët amerikanë. Sipas të dhënave të disponueshme nga faqet e USTDA-së, kompanitë amerikane ofrojnë tri modele kryesore financimi.

Modeli i parë është partneriteti publiko-privat, ku entiteti ose një kompani publike do të hynte në projekt me investitorin amerikan.

Modeli i dytë është “Ndërto–Mendo–Menaxho” (BOO) dhe “Ndërto–Menaxho–Transfero” (BOT), ku koncesionari amerikan siguron paratë, ndërton dhe menaxhon projektin për një kohë të caktuar, pas së cilës, eventualisht, transferon pronësinë.

Modeli i tretë është “çelësi në dorë” (EPC), ku kompania amerikane merr përsipër ndërtimin, dhe projekti financohet me fondet e saj, shpesh përmes kredive.

Bechtel ka përdorur tashmë modelin EPC në rajon, duke ndërtuar qindra kilometra autostrada në Kroaci, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë, duke marrë përsipër projektimin, furnizimin dhe ndërtimin. Bankat e huaja shpesh preferojnë këtë model, sepse zvogëlon rrezikun për shtetet dhe përqendron përgjegjësinë te një kontraktues i vetëm.

Në Bosnje dhe Hercegovinë ekzistojnë dy bursa në Sarajevë dhe Banjallukë, por tregu i kapitalit është i pazhvilluar. Në tetor 2025 u bë e ditur se investitorët amerikanë dhe partnerët vendas duan të krijojnë bursë në Distriktin e Bërçkos, njësinë e tretë administrative në Bosnje dhe Hercegovinë.

Përfaqësuesit amerikanë kanë biseduar me autoritetet boshnjake edhe për zhvillimin e sektorit të telekomunikacionit, sidomos për rrjetet mobile të gjeneratës së pestë (5G) që janë të disponueshme në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Pse janë të rëndësishme investimet amerikane?

Aktualisht shumica e investitorëve në Bosnje dhe Hercegovinë vijnë nga Kroacia, Serbia, Austria, Sllovenia, si dhe investitorë nga Italia, Rusia dhe Turqia.

Investimet e mundshme amerikane vijnë në një kohë kur Rusia po tërhiqet nga sektori i naftës në Serbi, me të ardhme të pasigurt për rafineritë e Zarubezhneft në Brod dhe Modriq, të cilat operojnë prej vitesh me humbje.

Realizimi i projekteve të paralajmëruara do të përfaqësonte një hap strategjik për diversifikimin e burimeve energjetike dhe forcimin e infrastrukturës, si dhe për zvogëlimin e ndikimit të Kinës, e cila ka investuar para në rajon vitet e fundit.

“Potenciali është i madh dhe ka një shans serioz për të pasur sukses, duke pasur parasysh se SHBA-ja është partneri kryesor gjeopolitik i Bosnje dhe Hercegovinës që nga Marrëveshja e Dejtonit në 1995 dhe garantues i stabilitetit politik – që këtu nuk do të ketë konflikte apo turbullira, dhe kjo është ajo që kërkojnë investitorët”, vlerësoi analisti makroekonomik Faruk Haxhiq.

Ai tha se kompanitë e mëdha amerikane të ndërtimit nuk ishin të interesuara për segmente të vogla autostrade, por mund të jenë të interesuara për projekte të mëdha, duke përmendur shembuj të rrugëve të shpejta nga Tuzlla drejt Kroacisë dhe Serbisë dhe drejt Sarajevës, për të cilat është përgatitur pjesa e dokumentacionit të nevojshëm.

Cilat mund të jenë pengesat?

Decentralizimi i Bosnje dhe Hercegovinës sipas Marrëveshjes së Dejtonit dhe Kushtetutës nënkupton se kompetencat për ekonominë janë të ndara midis entiteteve dhe kantoneve, gjë që ngadalëson projektet.

Projekte të mëdha energjetike dhe infrastrukturore në Bosnje dhe Hercegovinë kërkojnë miratime dhe leje në disa nivele qeverisëse, ndryshime ligjore, marrëveshje ndërkombëtare, respektimin e obligimeve ndërkombëtare dhe përputhjen me Bashkimin Evropian.

“Megjithatë, unë mbështetem në këmbënguljen afatgjatë amerikane për të zgjidhur disa çështje brenda Bosnje dhe Hercegovinës për të arritur atë që synojnë”, tha profesoresha Azra Haxhiahmetoviq.

Deri tani, investimet amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë kanë qenë të rralla dhe kryesisht të përqendruara në industrinë ushtarake. Shembull është kompania Sitko Acquisition LLC, e cila ka marrë pjesë në Pretis në Vogoscë dhe Binas në Bugojno, ndërsa Qeveria e Federatës ruan paketën kryesore të aksioneve./REL