Lumir Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit që e ka kërkuar në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Abdixhiku ia ka ofruar Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit, pas rezultatit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, ku LDK-ja fitoi 13.24% të votave, rezultati i dytë më i keq që prej pasluftës.
Por, disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim.
“Unë kam zgjedhur të dalë para jush, jo sepse e kam të lehtë, por sepse e ndjej të domosdoshme, sepse kam besuar gjithmonë se njeriu nuk matet kur gjithçka shkon mirë, por kur duhet të flasë edhe atëherë kur fjala i dridhet”, ka thënë Abdixhiku gjatë fjalimit të mbajtur të shtunën para Kuvendit partiak.
Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka shpallur ditë më parë kandidaturën për kryetar të partisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.
Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.
Komente









