Inspektorët e Kombeve të Bashkuara kanë mbërritur në Panama për të hetuar pajisjet ushtarake që u gjetën nga autoritet vendase në një anije të Koresë së Veriut që kishte ardhur nga Kuba. 
Specialistët do të zbulojnë nëse Peniani ka shkelur embargon e armëve për programin e saj bërthamor dhe raketave balistike.

Ekipi i OKB-së i përbërë nga 6 anëtarë mbërriti në portin e Manzanillo me kërkesë të qeverisë panameze. Muajin e kaluar, zyrtarët gjetën disa sisteme raketash, 2 avionë të prodhimit rus dhe 15 motorë për këto lloj avionësh, të fshehur në thasët e sheqerit brenda kësaj anije mallrash.

Pasi armët u zbuluan, kapiteni i anijes tha se ato po dërgoheshin në Korenë e Veriut për riparime dhe për t’u rikthyer sërish më pas. Ndërkohë ekuipazhi i anijes prej 35 anëtarësh, janë arrestuar dhe akuzuar për përpjekje për të kontrabanduar armë të padeklaruara përmes kanalit të Panamasë. 

Kombet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të ndryshme ndaj Penianit, duke përfshirë rregullat strikte mbi dërgesat e armëve, masa që synojnë frenimin e programit të saj bërthamor.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)