BAGDAD - I dërguari i OKB-së për Irakun, Martin Kobler, i cili është në përfundim të mandatit të tij, teksa ka kujtuar dy vitet që ka qëndruar në Irak, ka thënë se “gjakderdhja e madhe” është shmangur kur një grup iranian në ekzil që e kundërshton regjimin në Teheran, janë zhvendosur në një kamp të ri.

Siç transmeton REL, Martin Kobler e ka përshëndetur gatishmërinë e Shqipërisë dhe Gjermanisë, që të pranojë më shumë se 300 pjesëtarë të këtij grupi, ndërsa ju ka apeluar vendeve anëtare të OKB-së, që të pranojnë më shumë se tre mijë pjesëtarë të tjerë të grupit “Mujahedeen e-Khalq” (muxhahedinë).

Ai ka shtuar se rritja e dhunës në këtë shtet është e lidhur me konfliktin në vendin fqinjë, Sirinë derisa “fushëbetejat e të dyja vendeve po bashkohen”.

Martin Kobler i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën, se grupet e armatosura të Irakut janë çdo herë e më aktive në Siri. Kobler gjithashtu ka thënë se katër muajt e fundit kanë qenë ndër më të përgjakshmet në Irak në pesë vitet e fundit. Në këto katër muaj janë vrarë tre mijë vetë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)