SIRI - I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi ka shprehur frikën se Siria mund të shndërrohet në një “Somali të re” nëse kriza nuk merr fund së shpejti.

Somalia është pa qeveri të efektshme qendrore që prej vitit 1991.

Duke folur për gazetën al-Hayat, Brahimi ka hedhur poshtë mundësinë e ndarjes fetare dhe etnike të Sirisë. Disa vëzhgues kanë sugjeruar se minoriteti alavit i presidentit sirian, Bashar al-Assad, mund të formojë një shtet në verilindje të Sirisë.

“Njerëzit flasin për rrezikun e ndarjes në Siri. Unë nuk shoh ndarje”, ka thënë Brahimi, duke shtuar se nëse kjo çështje nuk trajtohet me korrektësi, rreziku është ‘somalizimi’ dhe jo ndarja.

Vitet e luftimit në Somali ndërmjet klaneve rivale dhe komandantëve luftarakë, ashtu si edhe pamundësia për të trajtuar urinë dhe sëmundjet kanë çuar në vdekjen e rreth 1 milionë njerëzve.

Siria po përballet me revoltën popullore që në mars të vitit të kaluar. Aktivistët thonë se mbi 35,000 persona kanë humbur jetën në përleshjet ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve që kundërshtojnë regjimin e Assadit.

(eç/shqiptarja.com)