FIER- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Fryma e Re Demokratike, Gazmend Oketa, vizitoi në Spitalin Rajonal të Fierit kandidatin e dhunuar të kësaj force politike, Mit’hat Hoxha. Oketa dënoi aktin e rëndë, duke u shprehur se kjo ngjarje dyshohet se merr ngjyrime politike, duke qenë se përkon edhe me të njëjtën periudhë të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi.
 
“Kjo ngjarje përkon me të njëjtën periudhë, me ngjarjen e rëndë të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Vrasja e tij është ende pa autor. Edhe plagosja dhe dhunimi i kandidatit tonë Hoxha nga mënyra se si ka ndodhur merr ngjyrime politike. Unë nuk dua ta politizoj. Por dyshojmë se ka ngjyrime politike”, u shpreh Oketa, në deklaratën për shtyp pas takimit me kandidatin e dhunuar.
 
Deklarata është dhënë gjatë vizitës së bërë prej tij në ambientet e spitalit Fier, ku është i shtruar kandidati i FRD. Mit'hat Hoxha. Ky i fundit po merr mjekime në reanimacion dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
 
Oketa u bëri apel autoriteteve që të zbardhin sa më parë ngjarjen dhe të vendosin përpara drejtësisë autorët.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)