TIRANE - Do të kemi një muaj intensiv për të bashkëbiseduar me shqiptarët që nga jugu në veri, për të diskutuar pikat kryesore të programit dhe për të ndezur motorët e fushatës zgjedhore. Kështu u shpreh sekretari i përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike Gazmend Oketa pas mbledhjes së Kryesisë së FRD-së, duke theksuar se FRD është e gatshme të hyjë në zgjedhjet e qershorit 2013 dhe shprehu besimin se FRD do të jetë një forcë përcaktuese në vendimmarrje si dhe forcë qeverisëse pas zgjedhjeve.

“Do të kemi një muaj intensiv për të bashkëbiseduar me shqiptarët që nga jugu në veri, për të diskutuar pikat kryesore të programit dhe për të ndezur motorët e fushatës zgjedhore. FRD ka një ecuri mjaft pozitive, pavarësisht presioneve që vijnë nga të dyja krahët e politikës së vjetër. Në mbledhje u diskutua edhe puna e 19-të departamenteve të cilat po hartojnë programin zgjedhor të FRD-së. Janari do të jetë muaji i dialogut intensiv me qytetarët në mënyrë që në konsultim me ta ky program të jetë sa më afër qytetarëve”, deklaroi Oketa.

Oketa theksoi se procesi i anëtarësimit ka qenë i suksesshëm pavarësisht problematikave të krijuara nëpër qytete të ndryshme nga militantë të dy forcave kryesore në vend.

"Konstatojmë me kënaqësi se procesi i anëtarësimit vijon me ritme të larta në të gjithë vendin, por me keqardhje konstatoj se në mjaft raste jemi përballur me problematika që vijnë kryesisht nga elementë të dy partive të mëdha. Në mjaft raste anëtarët tanë janë përballur me kërcënime për largime nga puna dhe problematika të këtij lloji", theksoi Oketa.

Ndër te tjera Oketa deklaroi se kjo forcë politike do të sjellë një frymë të re në politikën shqiptare, larg kësaj çfarë ka ofruar klasa politike, e cila prej 22 vitesh na ka lënë akoma në tranzicion.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)