TIRANE-  Duke konstatuar situatën e rënduar të sigurisë në vend, Fryma e re Demokratike “këshillon” kryeministrin e vendit, Edi Rama, të marrë masa të menjëhershme për zgjidhjen e postit të Kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror. I ftuar në emisionin “Tête à tête” në A1 Report”, sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, tha se deklarata e ministrit Tahiri se “Kryetari SHISH nuk përcjell informacionin tek ky i fundit”, është një akt komunikimi që duhet marrë me seriozitet.

“Do të ishte shumë e rëndë në rast se shërbimi informativ shtetëror do të kishte të dhëna dhe këto të dhëna nuk do t’ia përcillte institucioneve përkatëse për të vepruar. Në rast se Presidenti i Republikës i qëndron këtij deklarimi dhe në rast se kryeministri aktual ka problematika me mënyrën se si ky institucion po përmbush misionin e tij atëherë unë gjykoj se zoti Rama nuk duhet të humbasë asnjë ditë të vetme. Besoj se edhe institucioni i Shërbimit Informativ ka përgjegjësinë e tij dhe është një çështje që duhet zgjidhur orë më parë”, tha Oketa.

Nga ana tjetër Oketa dha gjykimin e tij mbi reformën territoriale, ku shprehu vlerësim pozitiv për qëndrimin e mbajtur nga ana e mazhorancës ndaj opozitës për dhënien e vetos.

Ndërsa për kreun e partisë më të madhe opozitare në vend, Lulëzim Bashën, Oketa shprehet:
“Pastaj ajo shprehja popullore që dielli i mirë duket që në mëngjes. Kanë kaluar shumë mëngjese dhe deri tani s’kemi parë asnjë shenjë. Mjafton t’i referohemi organit zyrtar, është i njëjti stil, e njëjta gjuhë, e kam të veshtirë ta besoj por pikërisht nuk besoj që ai zhargon dhe ai artikulim vjen nga zoti Basha”, vijoi Oketa.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)