TIRANË - Kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka mbajtur sot deklaratën e mbylljes së fushatës nga selia e PD. Një ditë para garës përfundimtare për shpalljen e kreut të ri të kësaj partie ai ka theksuar linjat e një fitoreje të re të PD-së në zgjedhjet e ardhshme.

"Duke iu përmbajtur kufijve të qendrës së djathtë përkundrejt Partisë së vjetër të Punës, të rithemeluar në 1 prill; duke konsoliduar raportet me pronarët, të përndjekurit, të rinjtë dhe biznesin; duke inventarizuar kontributet e secilit anëtar të PD përmes sturkturës, përmes çdo të drejte përfaqësimi, ne do rikthehemi te fitorja në përballjen e parë elektorale. Unë kam 24 orë në ditë në dispozicion të bëj këtë", ka theksuar Olldashi.

Olldashi ka thënë edhe që "ky është një moment historik i PD-së".

FJALIMI I PLOTË I SOKOL OLLDASHIT
Sot eshte dita e fundit e fushates brenda partise, ndaj jam perpara jush, per te falenderuar te gjithe demokratet per procesin shume pozitiv qe kane zhvilluar, per seriozitetin me te cilen e kane percjelle dhe dinjitetin qe i kanë dhene kesaj gare brenda nesh.

Për mua kanë qenë 19 ditë të jashtëzakonshme, takimesh me strukturat dhe demokratët në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Kam folur dhe më kanë folur, më kanë dëgjuar dhe i kam dëgjuar.

Kemi shkëmbyer bashkarisht opinione se si duhet të ringrihet Partia Demokratike, për t’u rikthyer aty ku ajo ka destinacionin e vet të përhershëm, tek të qenit forca përfaqësuese e shumicës së shqiptarëve.

Kemi konkluduar së bashku se ky është një moment historik për Partinë Demokratike dhe për gjithë shoqërinë shqiptare. Kemi konkluduar se mënyra më e mirë për të shënuar një fillim të ri dhe një rikthim të shpejtë, është që, mbi gabimet të ndërtojmë një eksperiencë dhe mbi eksperiencën një platformë suksesi.

Ne na duhet me shpejtësi të përcaktojmë se:
- vetëm duke iu përmbajtur në mënyrë rigoroze kufijve politikë të qendrës së djathtë,
- duke identifikuar qartësisht një skenë politike dypolare me partinë e vjetër të punës të rithemeluar në 1 prill në njërën anë dhe Partinë Demokratike në anën tjetër
- duke konsoliduar marrëdhënien tonë me të përndjekurit, pronarët, botën akademike, të rinjtë dhe biznesin,
- duke ndërmarrë një opozitë parlamentare energjike, të paepur, të mirëstrukturuar dhe të pakompromis
- duke riorganizuar mekanizmin e Partise Demokratike, përmes inventarizimit të menjëhershëm të kontributeve të secilit anëtar, përmes konsolidimit të mekanizmit të përgjegjësive dhe stimujve, përmes rikthimit tek struktura baze e PD-së të çdo të drejte përfaqësimi dhe përmes riorganizimit dhe reformimit të thellë të cdo strukture të Partisë Demokratike, nga seksioni më i vogël, deri tek kryesia qendrore; 

Partia Demokratike do të rikthehet tek fitorja, në përballjen e parë elektorale, zgjedhjet lokale të vitit 2015. Unë mundem t’i drejtoj demokratët në këtë sipërmarrje të vështirë, por sigurisht të arritshme, sepse e njoh strukturën e partisë demokratike në nivele të ndryshme, nga antar i thjeshtë deri në nivelet më të larta drejtuese.

Kam eksperiencën e duhur opozitare për të ngritur një veprim politik efikas. Kam prezencën parlamentare që më jep mundësinë ta kthej foltoren e kuvendit në një tribunë të opozitës.

Kam 24 orë në ditë, në dispozicion të ristrukturimit, opozitarizmit dhe fitores së shpejtë të Partisë Demokratike.Në përfundim të kësaj fushate, vendimi kalon në duart e antarëve të Partisë Demokratike, ndaj unë dua edhe një herë t’i falenderoj të gjithë ata që ndenjën në krah, përballë, apo kithët meje në këtë fushatë. 

I ftoj të gjithë të marin pjesë në votim, të vendosin secili ne liri të plotë duke i siguruar se, cilido qoftë rezultati i këtyre zgjedhjeve, unë do të vazhdoj me të gjithë energjithë e mia, të punoj për suksesin e Partisë Demokratike dhe për ringritjen e demokratëve dhe të parimeve të shenjta tek të cilat ne bashkarisht besojmë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)