TIRANE - Mbledhja e grupit parlamentar të PD, e para nën drejtimin e liderit të ri Lulzim Basha nuk ka pasur qetësi. Pavarësisht se kryetari i ri e ka pritur liderin historik Berisha te dera e selisë së re të PD, duke e vendosur më pas në krahun e djathtë të tij në tryezën e madhe të sallës së ish-ShQUP, në mes të Topallit dhe Bodes, kjo nuk e ka penguar rivalin e tij për kreun e PD Sokol Olldashi të reagojë për mënyrën e zgjedhjes së kryesisë së re të grupit të PD.

Përtej deklarimeve e qetësisë publike jashtë sallës, brenda saj mësohet se Olldashi i është kundërvënë në mënyrë të drejtëpërdtejtë Bashës, duke mbajtur sytë nga Berisha se po shkelet statuti i PD, pasi sipas tij s’zgjidhet kryetari i grupit pastaj nënkryetari i partisë, por është e anasjellta. Madje mësohet se Olldashi nuk ka munguar të kujtojë se me këto veprimet nuk ecet në drejtimin e bashkimit të PD për të bërë një opozitë të bashkuar përballë të majtës.

Mësohet që Sokol Olldashi të ketë thënë në mbledhjen e grupit të PD se “jo vetëm që nuk ka pasur transparencë në përzgjedhjen e deputetëve që do të jenë në kryesinë e grupit parlamentar, pasi emrat i kemi dëgjuar nga mediat dhe nuk janë diskutuar e ardhur si propozim i kryesisë në grup, por është shkelur dhe statuti i PD, pasi Këshilli i ri Kombëtar duhet të zgjedhë njëherë nënkryetarët e PD, pastaj njëri prej tyre do jetë kryetar grupi, dhe jo të veprohet anasjelltas”.

Më tej ai mësohet të ketë nënvizuar se “me këto veprime nuk po ecet në drejtim të bashkimit të PD për të qënë një opozitë e fortë e cilësore përballë mazhorancës së majtë, por jepet shembulli i keq i shkeljes së statutit të PD”. Askush tjetër nuk ka folur dhe ka pasur vetëm një sqarim nga Basha se është kryesi e komanduar, por Olldashi me sa duket ka qënë i bindur se kjo kryesi do mbetet dhe për pasojë dhe kryetar grupi dhe nënkryetar i PD do jetë Edi Paloka.

Më pas është vendosur që kryesia e PD të përbëhet nga: Edi Paloka kryetar grupi i 46 deputetëve të PD, Eduard Halimi ish ministri i Drejtësisë nënkryetar grupi, Edmond Spaho kandidat për nënkryetar Parlamenti, Genti Strazimiri sekretar grupi dhe Jorida Tabaku  zëdhënëse e grupit. Ajo çka bie në sy është shmangia e drejtuesve të vjetër në PD. Ndërsa kreu i Grupit PD hodhi poshtë zërat për ekzistencën e disa fraksioneve brenda partisë. “Brenda PD nuk ka fraksione e grupe, ka mendime ndryshe por kjo s’do të thotë që ka fraksione, është diçka normale”, tha Edi Paloka pas senacës parlamentare.
 
STATUTI I PARTISË DEMOKRATIKE
 
■ Kompetencat e Këshillit Kombëtar/Neni 41
 
1- Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari (ose Sekretari i Përgjithshëm me miratim të Kryetarit) në marrëveshje me Kryesinë e Partisë.
Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe në se e kërkojnë ¼ e anëtarëve të tij. Në këtë rast Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës.
Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes.

2- a. Këshilli Kombëtar merr të gjitha vendimet që mund të kërkojnë rrethanat kur Kuvendi Kombëtar nuk është i mbledhur dhe kur ato nuk janë parashikuar në këtë Statut si e drejtë vetëm e Kuvendit.
b. Këshilli Kombëtar zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë njëzetepesë anëtarët e Kryesisë së Partisë nga një listë ku numri i kanditatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që kërkohen.
c. Këshilli Kombëtar zgjedh/shkarkon ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi Kombëtar, me votim të fshehtë:
i. Sekretarin e Përgjithshëm;
ii. Nënkryetarët e Partisë;
iii. Sekretarët funksionalë ;
iv. Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë;
v. Komisionin Qendror të Apelimit.......
 
■ Nënkryetarët e Partisë/Neni 47
 
1- PDSH ka dy nënkryetarë të cilët zgjidhen sipas përcaktimeve të Nenit 41 të këtij Statuti.

2- Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njeri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi (dorëheqje, etj.), Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar i cili komandon nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në vendimin përfundimtar të Kuvendit Kombëtar.

3- Kryetari i grupit parlamentar është njëri prej tyre, ndërsa nënkryetari tjetër është i deleguari i kryetarit.
 
KRYESIA E GRUPIT TË PD
 
■ Edi Paloka
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

■ Eduart Halimi
Zv/Kryetar i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike

■ Gent Strazimiri
Sekretar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

■ Jorida Tabaku
Zëdhënëse e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

■ Edmond Spaho
Kandidat i Partisë Demokratike për postin e nënkryetarit në Kuvendin e Shqipërisë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)