TIRANE - Që prej datës 4 korrik, datë kur u shpallën nga kryesia e Partisë Demokratike kandidaturat që do të garonin për kreun e ri të kësaj partie, dy rivalët demokratë për këtë post, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha kanë vijuar përditë fushatën në strukturat bazë të partisë. Gjatë gjithë këtyre ditëve, ajo që bie më shumë në sy jo vetëm nga të anëtarësuarit e PD, që shpresojnë për poste në strkturat drejtuese të partisë, por dhe analistëve është pikërisht mungesa e qartë e një platforme politike e tyre.

Më shumë se akuza ndaj PS dhe ish-aleatit të tyre në qeveri, LSI, dy rivalët i kanë pasur të vakëta premtimet se çfarë do të ndryshojnë dhe përmirësojnë nëse secili do të fitonte në zgjedhjet brednda PD, në këtë parti. Pretendenti kyesor që përflitet më shumë për kreun e PD, Lulzim Basha e ka bazuar platformën e tij vetëm në mbrojtje të administratës që mund të largohet nga qeveria e re, në asnjë takim nuk përmend se çfarë risishë do të sjellë në drejtimin e partisë.

Por duket se nga ana tjetër, nga ana e kandidatit Olldashi vetëm këto ditë të fundit të fushatës po shpalosen qëndrime të tij se çfarë do të ndryshonte në PD. Në një takim me strukturat e PD-së në Kombinat ai hodhi tezën se kryetarët e degëve në rrethe të jenë pjesë e kryesisë së PD-së të Shqipërisë. Olldashi u shpreh se ndër të tjera është e nevojshme të bëhet inventarizimi i kontributeve te çdo anëtari si dhe te vendosen mekanizma përgjegjësish dhe mekanizma stimujsh.

“Kjo do të thotë që ne kemi nevojë të zgjerojmë kryesinë e përgjithshme të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Të kemi 36 kryetarë të degëve qendër rrethi- ex officio anëtarë të Kryesisë dhe shtuar këtyre një korpus anëtarësh, të cilët do të bëjnë kryesinë në tërësi. Nga ana tjetër kemi nevojë të ndërtojmë një korpus këshillimor apo një hallkë të ndërmjetme , jo vendimmarrëse, por këshilluese për Kryetarin dhe për Kryesinë.

Pra një grup, i cili ka të gjithë eksperiencën e ndërtuar nga PD në 23 vjet dhe që e vë në funksion të drejtimit politik të partisë”, u shpreh Olldashi. Ndërkohë që në fushatën e tij kandidat Basha i është drejtuar Ramës nga qyteti i Shkodrës se do ta mundë sërish. “Rama na njeh mirë, nëse na ka harruar, do i'a kujtojmë! Kush të ka mundur një herë, di dhe do të mund përsëri”, tha ai.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.07.2013
                       
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)