TIRANE - Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi është I mendimit se Lidhja Demokratike e Gruas duhet të funksionojë si degë brenda strukturës së kësaj partied he kësisoj, gratë do të përfitojnë më shumë të drejta politike.
 
“Duhet të jetë e shpejtë koha, kur Partia Demokratike , si strukturë politike dhe Lidhja Demokratike e Gruas si organizatë partnere,”- tha ai, - “të ulen bashkë dhe të negociojnë për statusin e ri, që nuk do të trajtojmë më LDGSH-në , thjesht si organizatë partnere, por që duhet t’i japë, asaj statusin e një dege me të drejta të plota, nga pikëpamja formale statutore. Kjo do t’i japë Lidhjes Demokratike të Gruas, disa të drejta që sot nuk i ka. Ne praktikisht i japim një zhvillim cilësor statusit të zonjave brenda strukturës politike dhe LDGSH-së një mekanizëm të ri propozimi dhe përfaqësimi brenda të gjithë strukturës së Partisë Demokratike.”
 
Sokol Olldashi zhvilloi po ashtu takime me seksionet e PD-së në njësitë : 5, 7 dhe 11 në Tiranë ku kërkoi të zbatohet një format i ri organizimi.  
 
Në zbërthim të paketës për ristrukturimin e PD-së, Kandidati Olldashi ritheksoi propozimin për rikthimin në Kryesinë e PDSH-së, të drejtuesëve politikë në rrethe, për të zotëruar të gjithë terrenin e partisë.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)