Ministri inspektoi punimet në stacionet e pompimit në fshatin Qerret, pjesë e projektit të investimeve në bregdetin e Durrësit dhe të Kavajës.
Olldashi bëri me dije se investimi prej 4.3 milion euro do të përfundojë në fund të muajit prill, duke bërë që ujërat e zeza të derdhen jo më në det, por në impiantin e Kavajës, që do të thithë ujërat e zeza nga Përroi i Agatit deri në Qerret.
”Është drejt përfundimit faza e parë e punimeve për ndërtimin e magjistralit kryesor për ujërat e zeza në bregdetin e Kavajës. Ndërkohë ndërtimi i kanalizimeve sekondare dhe terciale dhe lidhja e tyre me magjistralin kryesor që do kushtojnë 4 milion euro pritet të përfundojë në vjeshtën e këtij viti”, tha ministri.
Sipas informacioneve që jep MPPTT, në plazhet nga zona e Përroit të Agait deri në bregun e Qerretit janë ndërtuar pesë stacione pompimi të ujërave të zeza, të cilët thithin për në impiantin e përpunimit në Kavajë të gjitha ujërat e zeza duke bërë që gjiri i Durrësit të jetë më i pastër për pushuesit, të cilët do të kalojnë pushimet e verës atje.
(aq/shqiptarja.com)
