Duket se gjen fjalët perfekte për baladat. Tekstet e tij, të sjellë në zëra të mrekullushëm të këngëtareve tona, janë bërë hite për zemrat e lënduara, për zemrat e dashuruara, për ato të rigjetura, të rilindura. E gjitha kjo është falë punës, por edhe falë intuitës që ai ka.  “Jam konsumatori dhe kritiku më i pamëshirshëm i punëve të mia. Nëse një produkt nuk më bind e punoj aq sa të jetë emocionues për mua, në këtë pikë nuk dyshoj më për suksesin”, -tregon Olti teksa shton se për tekstet  që bën frymëzohet më shumë nga “filmat neorealistë ku gjithçka është e drejtpërdrejtë, pa ëmbëlsira fallco”. 

olti curri

Në fund nuk mund të mungonte edhe një batutë për ish-banorët e Big Brother, për të cilët thotë se  për ta s’doo zgjidhte dot kurrë një rrymë muzikore “Ata janë vetë rrymë elektrike, nuk i bën punë rryma muzikore”,-thotë ai. Olti kënga me tekstin tënd ka fituar çmim të parë në Top-Fest.

Çfarë i dhuron një tekst i bukur këngës sipas teje?

Nëse muzika, tingujt janë impakti i parë, teksti është ai që të mban lidhur pas një kënge. Ai që i jep jetëgjatësinë dhe e bën këngën pjesë të gëzimit apo trishtimit të atyre që e dëgjojnë.

Mes Samantës që fitoi vendin e parë, dhe Albëries që mori çmimin si balada më e mirë, cili ishte teksti yt i preferuar?

Janë dy tekste të punuar me shumë dashuri. Kompozitori Kledi Bahiti pas këngës se Elhaidës(po ju them një sekret, Elhaida ka një këngë në shqip, fantastike që uroj ta nxjerrë sa më shpejt), këngës që solli vetë në një klip, më besoi mua edhe këto dy balada që për cilësi nuk di t’i dalloj nga njëra tjetra.

Si i veçon tekstet më të mira, sipas dëgjueshmërisë së këngës ( pra nëse kënga është bërë hit) apo sipas ndjesisë që të lë ty një tekst pasi e shkruan?

Jo, unë jam konsumatori dhe kritiku më i pamëshirshëm i punëve të mia. Nëse një produkt nuk më bind e punoj aq sa të jetë emocionues për mua, në këtë pikë nuk dyshoj më për suksesin.

A ka histori të tuat brenda teksteve?

Mund të ketë ndonjë moment emotiv, por shumë rrallë, me kaq këngë sa kam bërë kryesisht balada, i bie që kam qenë në “kamp përqëndrimi të dashurisë”. Për të hyrë në botën e një personi që vuan nga histori sentimentale, shikoj shumë filma neorealistë ku gjithçka është e drejtpërdrejtë, pa ëmbëlsira fallco. Gjithashtu analizoj shumë punët e mëparëshme të artistit me të cilin punoj, pasi më pëlqen ta transformoj.

Duket sikur gjen tekstet perfekte për balada. I shkon më shumë dashurisë melankolia?

Nuk mendoj që janë melankolike, janë reflektime të dikujt që ka prekur fundin, të dikujt që dëshiron të rilindë. Ta shohë të vërtetën në sy edhe pse është fatale.

Teksi që nuk do bëje dot kurrë për një këngë apo vijë melodike?

Nuk kam bërë tekst kur kompozimi(pasi ne fillim bëhet muzika ku këngetari këndon me la, la, la, më pas unë gjej fjalët që përshtaten), ka qenë pa frymëzim, ose pa kulminacion. Fati im që këtë punë e nisa me kompozitorë të huaj dhe me një këngëtare me shumë botë si Besa Kokëdhima. Pra di ta dalloj mallin e mirë, me një dëgjim.

Duke qenë se tashmë je identifikuar edhe si opinionisti pikant i Fun Club, ke menduar ndonjëherë të shkruash ca rreshta për banorët e BB? Çfarë rryme muzikore do zgjidhje për ta në tërësi, pavarësisht personaliteteve të ndryshme?

Jo kurrë. Ata janë vetë rrymë elektrike, nuk i bën punë rryma muzikore.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të suplementit "THASH&THEM" të gazetës "Shqiptarja.com"

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)