TIRANË- Sekretari i fondit të OPEK (Organizata e Shteteve Naftë-Eksportuese) zhvilloi sot një takim me Kryeministrin Sali Berisha, ku konfirmoi vazhdimin e financimeve të projekteve në fusha të ndryshme si në infrastrukturën rurale, në bujqësi, transport dhe sistemin shëndetësor.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp të zhvilluar sot paradite në kryeministri, zoti Sulejman Herbish shprehu angazhimin e mëtejshëm për bashkëpunimet në zhvillimin rural në Shqipëri.

“OPEK në Shqipëri ka financuar me dhjetëra projekte. Janë ndërtuar spitale moderne, autostrada, me një fond që shkon mbi 100 milion dollarë. Kemi rënë dakort që të vazhdojmë përpjekjet tona, bashkëpunimin tonë në fushën e infrasktrukturës rurale, në bujqësi, transport, sistemin shëndetësor dhe në fushën e Shqipërisë dixhitale”, theksoi Kryeministri Berisha.

“Unë e admiroj popullin shqiptar për vendosmërinë dhe palëkundshmërinë që ka treguar. Diskutuam për bashkëpunimin e tanishëm dhe të ardhshëm. Për nivelin e bashkëpunimit aktual jemi të gjithë të kënaqur, projektet që bashkëfinancojmë po ecin shumë mirë”, u shpreh Herbish.

Më tej Zoti Herbish siguroi Kryeministrin Berisha për vazhdimësinë e bashkëpunimit në zhvillimin rural të Shqipërisë.
“Në lidhje me bashkëpunimin në të ardhmen i konfirmova Kryeministrit se jemi krenar dhe kemi një axhendë të përbashkët. Zhvillimi rural është në zemrën e bashkëpunimit”, vijoi sekretari i fondit të OPEK, Sulejman Herbish.