Opera "Fallxhorja”, një
premierë botërore në Tiranë

Opera "Fallxhorja”, një<br />premierë botërore në Tiranë
TIRANE- Realizimi për herë  të parë i një vepre të madhe muzikore, siç është opera, ka shënuar në të gjitha rastet një ngjarje historike. Herën e saj të parë, kohën, emrin e teatrit apo skenës ku është prezantuar,  drejtuesin e orkestrës dhe artistët që kanë kënduar në të, pavarësisht suksesit dhe ecurisë, çdo opera e ka të shënuar si një informacion të rëndësishëm. Në këtë kuptim çdo rast i tillë do të duhet të bëhet një ngjarje e rëndësishme muzikore për qytetin apo vendin ku ajo realizohet. Në fillim të muajit maj, Tirana u bë qyteti ku u realizua dhe u prezantua, për herë të parë përpara publikut dashamirës të muzikës, një vepër e re operistike.

Opera “La cartomantia” (Fallxhorja) e kompozitorit italian Salvatore Valente e realizuar dhe prezantuar në skenën e Teatrit të Universitetit të Arteve,  përbën në planin historik një premierë të vërtetë botërore. Përveç kësaj, e realizuar për herë të parë nga një trupë artisike me  këngëtarë dhe instrumentistë shqiptarë, ngjarja vjen edhe bëhet akoma dhe më interesante. E mbështetur financiarisht nga bashkia e qytetit të Supersanos në Itali ky projekt shënon, gjithashtu, një rast të veçantë bashkëpunimi ku bashkia e një qyteti në Itali vendos që të mbështesë dhe mundësojë realizimin e një vepre muzikore me një grup artistësh shqiptarë. Çfarë është kjo opera bashkëkohore?

Ndryshe nga tendencat e sotme të kompozitorëve bashkëkohorë për të shkruar muzikë e cila tenton drejt atonaliteteve apo drejt dedakafonisë, muzika e operës “La cartomantia” është një muzikë me karakteristika të pastra të neoromantizmit muzikor. Si e tillë muzika e Salvatore Valentes është një muzikë në të cilën temat e këndueshme janë prezente gati në të  gjitha ariet dhe pjesët e tjera muzikore. Tendenca për të ndërtuar një opera romantike nis me libretin e shkruar nga Federica Stefano. Historia që zhvillohet në këtë opera është historia e një dashurie që lind me një shikim të parë midis dy të rinjve, Xhakomos dhe Silvias.

Xhakomo dhe dy miqtë e tij, Davide dhe Xhino janë duke u argëtuar në njërin nga sheshet e qytetit të zbukuruar si për festë. Hyrja e Silvias në skenë shënon edhe fillimin e një ndjenje dashurie midis dy të rinjve. Si në të gjitha historitë klasike, ku autori sjell një personazh për të penguar apo vështirësuar lidhjen e dy të rinjve, autorja e libretit ka futur në skenë Lidian e cila ja del që ta prishë lidhjen e dy të rinjve dhe t’i rrëmbejë Xhakomos premtimin për martesë. Është nje lojë e sajuar nga Davide që e pengon martesën e Xhakomos me Lidian.  Në momentin kur ata janë duke shkëmbyer unanzat një personazh i paguar nga Davide paraqitet si djali i Xhakomos. Ky detaj e prish ceremoninë e maartesës. Pas prishjes së ceremonosë Xhakomo rigjen dashurinë e tij për Silvian ndërsa Lidia përfundon në krahët e Xhinos i cili e ka dëshiruar prej kohësh.

Kjo histori e thjeshtë ka qenë e mjaftueshme për të ndërtuar mbi të një histori muzikore. Përmes arieve, dueteve, terceteve dhe numrave të tjerë muzikorë kompozitori ka mundur jo vetëm të prezantojë karakteret e personazheve të operas, por edhe të nënvizojë të gjitha përjetimet e tyre e mocionale. I dashuruar me temat dhe me muzikën e tij opera ka vënde ku është e ngarkuar me momente të gjata orkestrale të cilat i vinin në vështirësi këngëtarët në përpjekje për të justifikuar veprimin skenik dhe prezencën e tyre në skenë. Interpretimi që Orkesra Simfonike e RTSH, nën drejtimin e Oleg Arapit, i bëri muzikës së operës “La cartomantia” ishte tipik për një orkestër repertori kryesor i së cilës janë veprat simfonike.

Ky tipar u ndje që në interpretimin e uverturës paksa të gjatë dhe vazhdoj edhe gjatë dy akteve të operas ku fuqia shpërthyese e orkestrër e vështirësonte herë pas here dëgjimin e zërit të këngëtarëve. Gjithsesi, edhe ky rast tregoj se kjo orkester është një orkestër me vlera të padiskutueshme interpretuese dhe se drejtuesi i saj, Oleg Arapi e njhte dhe e trajtonte mirë materialin muzikor. Një punë e lavdërueshme ishte ajo që kishte bërë i gjithë grupi i këngëtarëve të cilët jo vetëm e sollën saktë dhe me profesionalizëm stilin muziokor të operas, por treguan mjeshtëri në interpretimin skenik. Marrdhënijet shumë të sakta që vendosnin midis tyre edhe në momentet kur nuk këndonin, reagimet ndaj çdo elementi të skenës ishin tregues i një pjekurie dhe niveli të lartë të interpretimit skenik. Silvia e Rezarta Qevanit, Xhakomo i Klodjan Kaçanit, Lidia e Ina Gaqit, Xhino i Armando Likës dhe Davide i Sokol Hidërsha ishin personazhe që sollën për spektatorin dhe dashamirësit e operas  personazhin e ditës me problemet dhe qasjet e tij moderne ndaj realitetit.

Skenografia minimaliste, regjia e thjeshtë e kursyer dhe e fshehur prapa lojës skenike dhe veprimit skenik ja dolën që të lehtësonin komunikimin e veprës me spektatorin e saj.  Kjo vepër dhe realizimi i saj në skenat shqiptare ishin një tregues i mjaftueshëm i vëmendjes që duhet të tregohet ndaj këngëtarëve të rinj lirikë të cilët edhe pse në kushte jo të favorshme ja dalin të sjellin në skenë vepra të realizuara mirë artistikisht.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit