FIER - Policia e Fierit ka goditur një grup kriminal që trafikonte drogë drejt Greqisë. Në pranga kanë rënë dy persona, ndërsa është shpallur në kërkim organizatori.

Drejtori i Policisë së Fierit Lorenc Panganika, bëri të ditur sot paradite (9 shtator)  detajet e operacionit në një konferencë për mediat.  Ai tha se janë sekuestruar 30 kg kanabis dhe 500 gramë kokainë, e ndarë në pako që do të trafikohej drejt Greqisë.

Droga u gjet gjatë kontrollit në ambientet e banesës së Eduart Mehmetaj dhe në automjetin e dyshuar që mund të bëhej transporti i lëndës narkotike.

"Nga kontrolli rezultoi se  në dyshemenë (në hapësirën e përgatitur më parë në këtë automjet),  ugjetën rreth 30 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe gjysëm kilogramë lëndë narkotike kokainë. Lënda narkotike kanabis ishte  e ndarë në pako të vogla, të presuara, me qëllim trafikimin drejt Greqisë" informoi drejtori i policisë.

Në vijim, u ushtruan kontrolle në brendësi të banesës së Eduart Mehmetaj, ku u gjetën 3 peshore elektronike, një sasi e konsiderueshme ambalazhesh për paketim, doreza plastike, makineri presimi dhe mjete të tjera që përdoreshin për perpunimin dhe paketimin e lëndës narkotike.

Në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar 'Vakumi' u arrestuan Panajot Shahaj, 43 vjeç dhe Osmen Mehmetaj, 71 vjeç, të dy banues në fshatin Cakran, bashkia Fier, te dyshuar per veprat penale “Prodhimi dhe Shitja e narkotikeve”, dhe “Mbajtja, prodhimi dhe transportimi I substancave kimike.
 
Ndërsa u shpall në kërkim Eduart Mehmetaj, "si organizator i kësaj veprimtarie kriminale  si dhe vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë bashkepunetore ne kete aktivitet kriminal" informon policia.