KORÇË- Tre të rinj kanë rënë në prangat e policisë gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar në aksin rrugor “Prrenjas-Pogradec”. Ata u kapën duke transportuar 5.7 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me qëllim shitjen.
Operacioni i koduar “Ngarkesa” u zhvillua nga strukturat e Hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, pas një jave hetimesh. Të arrestuarit janë dy të rinj nga Tirana dhe një nga Shëngjini.
Ata u kapën teksa udhëtonin me një automjet me karroceri, që drejtohej nga një 26-vjeçar. Në karroceri ishte ngarkuar një automjet tip “Volkswagen”, në bagazhin e të cilit, në vendin e gomës rezervë, policia gjeti 5.7 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Gjatë kontrollit fizik, një 27-vjeçari iu gjet gjithashtu një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Krahas drogës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy automjetet, katër celularë dhe një shumë parash.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.











Komente
Komento