Blutë e Vlorës prej disa javësh kishin informacione se në një vilë në mes të qytetit bregdetar në lagjen 10 korriku kultivohej kanabis me llamba. Policia e mbajti nën vëzhgim vilën luksoze 3 katëshe me këtë sipërfaqe të madhe, rrethuar me mure të larta, garazhe makinash e sistem kamera sigurie, brenda së cilës gjatë momenteve të monitorimit nuk jetonte asnjë person. Efektivët mund ta kishin zgjatur edhe më shumë në kohë vëzhgimin e vilës për të kapur krerët e grupit kriminal, por të enjten e 9 shkurtit pasdite, një person hyri me shpejtësi brenda vilës.

Policisë së Vlorës iu desh të ndërhyjë. Personi nuk po vraponte kot. Forcat Shqiponja dhe efektivë të komisariatit të Vlorës po e ndiqnin pasi dyshohej se kishte plagosur një person po në lagjen “10 korriku” ku ndodhej vila. Në duart e policisë ra Ledjon Zahaj 38 vjeç. Vila që zgjodhi për strehim ishte në pronësi të kunatit të tij, Lorenc Xhaferi, 42 vjeç, i cili u shpall në kërkim. Një veprim i pamenduar që i kushtoi shtrenjtë. Dy katet e vilës së luksit, i pari dhe i treti ishin kthyer në laboratorë për kultivimin e kanabisit me llamba, ndërsa e gjithë vila tashmë është sekuestruar.

   “Nga kontrolli në të dyja katet e vilës, u gjetën dhe u sekuestruan 534 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 11 kilogramë lëndë narkotike në formë boçeje, 5 ventilatorë, 4 aspiratorë, 3 kondicionerë, 100 reflektorë, 23 impiante ngrohëse, 69 llamba, 6 filtra ajri, 1 armë gjahu, 3 aparate celulare, 1 automjet dhe sende të tjera të që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave”-tha Ermal Muça, drejtor i policisë së Vlorës.

Por pse ndodhi plagosja që coi në zbulimin e vilës me drogë?

Report Tv mëson se Dëfrim Pashaj po punonte tonën pranë vilës së kanabisit, dhe  Ledjon Zahaj i ka kërkuar llogari nga oborri, të mos punojë tokën afër pronës së kunatit të tij. Pas sherrit fizik, Zahaj ka qëlluar me armë gjahu duke lënë të plagosur 40-vjeçarin.

Kjo supervilë në mes të Vlorës, e cila edhe nëse nuk do të kultivonte kanabis, do kishte fatura të majme të energjisë elektrike, i ka verbuar me lekë sytë e elektricistit Edmond Begaj, 26 vjeç dhe faturistit Gentjan Metushi 44 vjeç, të cilët u ndaluan nga policia.

Prokuroria nga ana e saj po kryen lëvizje për të sekuestruar të gjitha pasuritë e krijuara nga droga, por ka dyshime se Lorenc Xhaferi, një pjesë të mirë të pasurive, përfshirë edhe një hotel “Florence” me vlerë 4 deri në 5 milionë euro në Lungomare, t’i ketë ngritur në aktiviteti kriminale jashtë vendit, jo vetëm në trafikun e drogës por edhe në fushën e prostitucionit.

Në të njëjtën kohë forcat e policisë zbarkuan edhe në fshatin Kropishtë të Selenicës, ku brenda një stani gjetën jo panoramën e vilës së mbushur me bimë kanabisi gati për tu korrur, por kryesisht mbetje kanabis sativa të tharë dhe pajisjet që ishin dashur për kultivimin. Në këtë rast, trafikantët duket se e kanë kryer misionin deri në daljen në treg të kanabisit. Pronari i ambientit, Dritan Koçiraj  45 vjeç u arrestua dhe u shpall në kërkim vëllai i tij bashkëpunëtor, Përparim Koçiraj, 55 vjeç. 

 “U gjetën dhe u sekuestruan 87 llamba, 12 transformatorë të vegjël elektrikë, 6 ventilatorë elektrikë, 4 kondicionerë dhe materiale bimore të dyshuara narkotike cannabis sativa”- tha Muça. 

 Edhe në këtë rast, ata që kanë bërë një sy qorr ndaj aktivitetit kriminal janë një faturist, Niko Dhima 39 vjeç dhe përgjegjësi i grupit të elektricistëve të OSHEE më Vlorë, Florjan Çaushaj, 34 vjeç.

*Raportuan për Shqiptarja.com dhe Report Tv gazetarët Armand Xhelili dhe Sokol Dema

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:22
Vila luksoze në Vlorë ku u zbuluan 11 kg kanabis dhe 534 bimë narkotike, ruhej nga kamera sigurie

Vila Luksoze në Vlorë ku u zbuluan 534 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 11 kilogramë lëndë narkotike ruhet nga kamera sigurie.

Banesa në pronësi të Lorenc Xhaferrit i cili është shpallur në kërkim, kishte elementë të lartë sigurie, duke nisur që nga kamerat që vëzhgonin çdo gjë jashtë objektit dhe portat e larta që e rrethonin.

Ora 11:21
Kultivonte kanabis në vilën luksoze, nisin procedurat edhe për sekuestrimin e hotelit të 42-vjeçarit në Lungomare! Dyshohet se merret me prostitucion

 

Policia e Vlorës ka sekuestruar tashmë vilën e 42-vjeçarit Lorenc Xhferri, në të cilën u gjetën të përshtatura dy kate për kultivim të kanabis sativa. Burime nga blutë bëjnë me dije për gazetarin e Report Tv Sokol Dema se kanë nisur proceduarat për sekuestrimin edhe të një hoteli me vlerë 4-5 milionë euro në pronësi të tij në zonën e Lungomares, hotel “Florence”, i cili ka dyshime se është ngritur si rezultat i aktiviteteve kriminale të Xhaferrit. Sekuestro pritet të bëhet referuar ligjit “Antimafia”. Dyshimet e policisë janë se Xhaferri ka kryer aktivitet kriminal në fushën e prostitucionit jashtë territorit të vendit, ndërsa në Shqipëri nuk ka pasur të regjistruar asnjë procedim.

Ora 11:09
‘Pse punon tokën afër pronës time’, si degradoi sherri mes dy personave në Vlorë që solli zbulimin e ‘shtëpisë së barit’

Detaje të reja janë mësuar nga konflikti i djeshëm në lagjen ’10 korriku’ në Vlorë që më solli zbulimin e një vile luksoze në Lorenc Xhaferrajt ku kultivoheshin lëndë narkotike. Mësohet se i plagosuri, 40 vjeçari Dëfrim Pashaj ka qenë duke punuar tokën pranë shtëpisë autorit të ngjarjes, Ledjon Zahaj.

Ky i fundit i ka kërkuar llogari përse po punonte tokën pranë banesës së tij dhe pas një konflikti fizik mes tyre, Zahaj ka marrë armën e gjahut dhe ka qëlluar ndaj 40 vjeçarit duke e lënë të plagosur.

Më pas kontrollet e policisë kanë zbuluar se pranë shtëpisë së Ledjon Zahajt ishte edhe vila luksoze e kunatit të tij, Lorenc Xhaferrajt, ku ishte përshtatur kultivimi i bimëve narkotike.

Ora 10:53
Operacioni kundër shtëpive të barit në Vlorë, në pranga edhe 4 faturistë të OSHEE-së

1676020995_finalprojekt.00212313.Still020.jpg

Nga operacioni anti-kanabis në Vlorë, mes 6 të arrestuarve, 4 janë punonjës të OSHEE-së. Konkretisht janë arrestuar, Niko Dhima, 39 vjeç me detyrë faturist dhe Florjan Çaushaj me detyrë përgjegjës i grupit të elektricisteve Edmond Begaj, elektricist dhe Gentjan Metushi, faturist.

Ora 10:22
Kishin kthyer vilën në shtëpi bari, kush janë 6 të arrestuarit në Vlorë dhe të shpallurit në kërkim

1676020873_finalprojekt.00214204.Still016.jpg

Policia e Vlorës ka zhvilluar një operacion anti-kanabis në Vlorë dhe ka vënë në pranga 6 persona, ndërsa dy janë shpallur në kërkim, pasi kishin përshtatur vilat për kultivimin e kanabisit.

Në pranga në fshatin Kropishtë, u arrestuan shtetasit Dritan Koçiraj, Niko Dhima, Florjan Çaushaj dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Përparim Koçiraj.

Ndërsa në lagjen “10 Korriku”, u arrestuan në flagrancë shtetasit Ledjon Zahaj, Edmond Begaj dhe Gentjan Metushi si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Lorenc Xhaferri.

 

Ora 10:20
Si fshihej droga në vilën luksoze në Vlorë! Pamjet e operacionit që çoi në pranga 6 persona, 2 ambiente të përshtatura për kultivim kanabisi

 

Këto janë pamjet e operacionit anti-kanabis në Vlorë, ku u zbuluan 2 ambiente të përshtatshme për kultivim të lëndës narkotike në një vilë luksoze. Forcat blu arritën ta zbulonin pas një tentative vrasje dhe cuan në pranga 6 persona.

Ora 10:18
Operacioni anti-kanabis në Vlorë/, 534 rrënjë kanabisi në dy shtëpi bari, 6 persona të arrestuar! Mes tyre 4 punonjës të OSHEE

 

Detaje të reja janë zbuluar nga operacioni i policisë i zhvilluar ditën e djeshme në Vlorë dhe Selenicë ku u zbuluan dy shtëpi bari. 6 persona janë arrestuar, mes tyre 4 punonjës të OSHEE. Ndërkohë janë shpallur në kërkim dy persona.  

Mësohet se si rezultat i kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 534 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 11 kilogramë lëndë narkotike në formë boçeje, 5 ventilatorë, 4 aspiratorë, 3 kondicionerë, 100 reflektorë, 23 impiante ngrohëse, 69 llamba, 6 filtra ajri, 1 armë gjahu, 3 aparate celulare, 1 automjet dhe sende të tjera të që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.