Katër persona kanë rënë në prangat e Policisë në Tiranë, gjatë një operacioni kundër lojërave të paligjshme të fatit.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ka goditur dy raste të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, në lokale që kishin përshtatur ambientet për këtë biznes të paligjshëm.
Tre prej të arrestuarve u kapën duke luajtur poker në njërin prej lokaleve, ndërsa i arrestuari i katërt ishte pronar i njërit prej lokaleve.
Gjatë operacionit u sekuestruan tavolina pokeri, celularë dhe shuma parash. Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Fati i lojërave”.
Goditen 2 raste të tjera të zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, në lokale.
Vihen në pranga 4 shtetas, procedohet penalisht 1.
Sekuestrohen tavolina pokeri, celularë dhe shuma parash.
Shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 3 dhe Nr. 6, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit “Fati i lojërave”, për organizmin e lojërave të fatit në ambiente të vëna në dispozicion për këtë veprimtari të paligjshme, kanë vijuar kontrollet dhe kanë zbuluar 2 ambiente të tilla.
Në vijim të veprimeve procedurale, u vunë në pranga shtetasit:
-N. P., 58 vjeç, A. K, 42 vjeç dhe L. P., 52 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasi M. Q., pasi në rrugën “Gjergj Legisi”, Tiranë, janë konstatuar në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit N. P., duke luajtur lojën “Poker”;
-E. K, 22 vjeç, pasi në lokalin e tij, në Vaqarr, gjatë këqyrjes së celularit iu gjetën aplikacione që dyshohet se përdoreshin për lojëra fati.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente









