Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 14 persona nga 15 të arrestuar në total në kuadër të një operacioni të zhvilluar disa ditë më parë në kryeqytet ku u goditën grupe kriminale ose persona që vepronin individualisht në fushën e shpërndarjes së narkotikëve.
Masë sigurie ‘arrest shtëpie’ gjykata ia caktoi Ilir Barutit, për shkak të moshës dhe problemeve shëndetësore.
Gjykata lëshoi 36 urdhër-arreste, 15 u ekzekutuan gjatë operacionit, 5 të tjerë kanë qenë arrestuar më herët. Në kërkim janë 14 të tjerë, pasi dy janë vënë në pranga dje.
Sipas informacioneve paraprake, këta grupe kriminale ishin të përfshirë në shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, kryesisht kanabis dhe kokainë. Të akuzuarit mendohet se furnizonin me drogë zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa aktiviteti i tyre shtrihej edhe pranë shkollave.
Gjatë operacionit policia ka sekuestruar 60 kg e 300 gramë Cannabis Sativa, 2 kg e 50 gramë Kokainë, 4 armë (1 armë zjarri pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 000 euro, 6 milionë lekë, 5000 paundë, celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










