SPAK arriti të zbardhë se, pas 2 atentateve mafioze të ndodhura në Vlorë 5 vite më parë, atë të Gentjan Qarrit dhe Bledar Birçajt, fshihet Inez Hajrulla dhe grupi i tij kriminal. Një personazh i njohur, që i ka shpëtuar 3 atentateve, por edhe policisë, që nuk arriti ta arrestojë pavarësisht kontrolleve të shumta në bazat e tij. Grupi kriminal, sipas SPAK ka trafikuar gati 1.2 ton kokainë nga Eku drejt vendeve të BE-së në rrugë detare e tokësore si dhe mbi 700 kg kanabis. Grupi kishte dhe 2 policë, njëri prej të cilëve derisa u arrestua sot, ishte në detyrë. Sipas SPAK oficeri Rezart Kuçi përveçse ka porositur 400 kg kokainë për llogari të tij e ka ndihmuar grupin me të dhëna nga policia.
Bazë e një hetimi të gjerë që SPAK zhvilloi prej vitit 2022 ndaj një grupi të strukturuar kriminal me bazë në Vlorë, ishte zbërthimi i bisedave të koduara në aplikacionin SkyEcc. Përmes tyre, u zbulua se në krye ishte Inez Hajrulla, një personazhi të njohur për autoritetet në Vlorë, i cili i ka shpëtuar 3 atentave, grup i përfshirë në 2 vrasje të bujshme të ndodhura në Vlorë në vitin 2021, në trafik ndërkombëtar të drogës, si dhe në pastrim të parave.
Prokuroria e Posaçme zbulon se vrasja e pazbardhur deri më sot e Gentjan Qarrit më 6 shkurt të 2021-shit në Vlorë, është organizuar nga Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit, të cilët kanë ndër vepruar në kohë reale me ekzekutorët. Grupi organizator ka dhënë udhëzime për sigurimin e makinave të vrasjes, fshehjen e autorëve dhe djegien e automjetit me të cilët u larguan autorët. Hajrulla dhe miku i tij, akuzohen për vrasje me paramendim, në bashkëpunim, si grup i strukturuar kriminal, ndërsa ekzekutorët ende nuk dihen.
Për atentatin e dytë mafioz që SPAK arriti të zbardhë, atë të Bledar Birçajt më 10 maj të vitit 2021 në Vlorë, Inez Hajrulla dhe ushtari i tij Ervis Matodashaj akuzohen për sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen. Ata survejonin edhe me kamera lokalin “The Boss” në pronësi të Bledar Birçajt. Ata kishin të qartë çdo lëvizje të tij me orare si dhe personat që takonte, duke hartuar planin konkret se kur dhe ku do e vrisnin.
Komunikimet në SkyEcc, i shërbyen hetuesve të arrijnë edhe në gjurmët e disa rasteve të trafikut ndërkombëtar të drogës duke zbuluar se pas sekuestrimit të sasive të mëdha të kokainës në disa shtete, fshihej ky grup kriminal. Në këtë pikë, grupi ka të përfshirë edhe një punonjës të policisë që përdorte edhe SkyEcc, me detyra të larta, e që gjatë kohës që ka trafikuar kokainë ka qenë shef për hetimin e krimeve në Vlorë, në qytetin bazë të këtij grupi kriminal.
SPAK thotë se oficeri i policisë Rezart Kuçi është porositës dhe posedues i 400 kg kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor të 2020-ës dhe të sekuestruar nga autoritetet gjermane. Kjo porosi është bërë bashkë me Arben Memishajn, i shpallur në kërkim, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal. Sipas SPAK, punonjësi i policisë, Kuçi dhe të tjerët, kishin investuar edhe në mjete lundruese për transport të drogës.
Prokurorët e Posaçëm kanë prova se oficeri ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal të grupit. Ai ka siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike, ka nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore, ka ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin dhe ka përdorur sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal
Edhe kur agjentët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore e arrestuan, Rezart Kuçi, ishte aktualisht në detyrë në radhët e policisë, shef seksioni në policisë shkencore në Kukës.
Po me urdhër të SPAK, në bashkëpunim me autoritetet në Zvicër, atje, ra në pranga, një ish-polici, Hamëz Demushi, por deri më tani nuk është i qartë roli i tij në këtë grup.
Një tjetër episod trafiku kokaine që SPAK gjen përgjegjës anëtarë të këtij grupi kriminal, janë 750 kg kokainë e sekuestruar në portin e Roterdamit në Holandë. Sipas SPAK kjo sasi është porositur në Ekuador nga Flodian Plaku, i cili sot ndodhet në burg për një tjetër vrasje, atë të Gentjan Bejtjes në 2024-ën në Fushë-Krujë, si dhe nga biznesmeni Mendu Duka, ky i fundit në kërkim, dhe persona të tjerë të paidentifikuar.
14 kg kokainë të sekuestruara nga policia greke në Patra, brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda, është organizuar nga një tjetër anëtar i grupit Argest Xhezani, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Lajmi në përditësim....
Komente












