Policia turke ndaloi të paktën 150 persona pas ndërhyrjes në një protestë të mbajtur para Gjykatës Caglayan në Stamboll, ku pjesëmarrësit ishin mbledhur për të shprehur kundërshtimin ndaj arrestimeve të fundit të aktivistëve LGBTQ+.

Sipas Reuters, protestuesit synonin të jepnin një deklaratë për mediat, por u penguan nga policia. Gjatë ndërhyrjes ata brohoritën: “Rroftë jeta pavarësisht urrejtjes”.

Protesta u zhvillua pas kontrolleve të gjera ndaj organizatave LGBTQ+ në disa provinca të Turqisë. Qeveria e ka justifikuar operacionin, të quajtur “Familja ime është e sigurt”, me argumentin se synon mbrojtjen e fëmijëve dhe të vlerave familjare.

Gjatë fundjavës, autoritetet ndaluan të paktën 26 persona në Stamboll dhe 21 në Ankara, ndërsa kontrolluan zyrat e disa organizatave LGBTQ+. Një gjykatë turke vendosi të dielën masën e paraburgimit për 16 persona në provincën perëndimore të Izmirit, sipas prokurorisë lokale.

Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek, deklaroi se hetimet, të koordinuara nga prokuroritë në Stamboll, Ankara, Izmir, Aydin dhe Mersin, përfshijnë 162 të dyshuar, nëntë shoqata dhe 13 kompani në 15 provinca.

Autoritetet kanë bllokuar gjithashtu aksesin në faqe interneti dhe profile në rrjetet sociale të organizatave LGBTQ+, individëve dhe disa mediave të pavarura, përfshirë llogarinë në X të degës turke të Amnesty International.

Lidhur me zhvillimet reagoi edhe Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Europës, Michael O'Flaherty, i cili shprehu shqetësim për arrestimet, kontrollet dhe kufizimet në internet ndaj organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve LGBTQ+. Ai theksoi se mbrojtja e vlerave familjare ose e fëmijëve nuk mund të përdoret si justifikim për kufizimin e të drejtave të njeriut dhe bëri thirrje për lirimin e të gjithë personave të ndaluar për aktivitetin e tyre në shoqërinë civile ose në fushën e të drejtave të njeriut.