Akti Normativ i i qeverisë për mbylljen  e diskove, pub-eve dhe ndalimin e muzikës në çdo ambient shërbimesh pas orës 20:00 ka sjellë reagimin e bizneseve që operojnë në fushën e turizmit në Sarandë. Një grup biznesmenësh zhvilluan një takim me kreun e bashkisë së Sarandës, ku kërkuan të hiqen masat shtrënguese për zonat turistike, pasi janë në kushtet e mbijetesës.  

“Ne nuk do pushojmë së pretenduari pikat për të mbijetuar. Ajo që presim është një reagim pozitiv. Qoftë edhe duke na ushtruar presion. Ose duke vendosur kushte dhe rregulla të reja. Presim një shtator të shpejtë dhe të vështirë”, tha kreu i "Tour Operatorëve", Arben Çipa.

Të kapur në befasi, ata shprehen se kanë kryer investime të shumta si dhe kanë prenotuar këngëtarë të njohur për të performuar live gjatë fundjavave. Operatorët turistikë të Sarandës kërkojnë anulimin e aktit normativ dhe zhvillimin e aktivitetit pa pengesa deri në fund të sezonit.