Opinioni e dha verdiktin

Opinioni e dha verdiktin
Gjyqet e vëllezërve Frroku janë një proces ligjor. Por, pavarësisht nga vendimet që dhanë e do të japin gjyqtarët për Arbenin e Markun, opinioni jashtë e brenda vendit ka dhënë tashmë gjykimin e vet për ta. Një gjykim paralel, që nuk ka vlera ligjore, por morale, veçanërisht të rëndësishme për persona të njohur tashmë si biznesmenë VIP apo politikanë. Vështirë se ky gjykim i dytë është në favor të tyre.

Opinioni këto ditë është njohur me një dosje, ku përmenden hollësi me të vërtetë rrënqethëse - jo si ato që përmendte Tom Doshi ca ditë më parë - se si funksionon tregu i klandestinëve dhe ai i prostitutave shqiptare në Europë. Si zihen tutorët me njeri-tjetrin, për të arritur deri në vrasje, si arratisen, si përdorin nga 4-5 emra të ndryshëm, si hidhen paratë e prostitutave në llogaritë e tutorëve, si vijon veprimtaria në shtete të ndryshme, në kontinentin e vjetër apo në Angli.

E çuditshme se si mund të kenë arritur deri këtu djem dhe vajza nga zona, ku dikur të vrisnin për nder! Ku vijohet të merren vendime për jetën dhe vdekjen e njerëzve nga pleqësitë e katundeve dhe sipas asaj çfarë është shkruar shekuj më parë në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Këto janë disa flashe tronditëse të një jete të përditëshme, të shumë prej atyre, që sot kapardisen rrugëve të Evropës me makina të shtrenjta, duke shpenzuar pa cak për kostume Armani, orë Hublot Classic, syze Bulgari, me Ferrari e Maserati, që një biznesmeni shumë të suksesshëm do t’i duheshin dhjetë jetë para se të guxonte t’u afrohej. Që kanë harruar kullat e të parëve të tyre, për t’u familjarizuar me night clubet dhe lokalet e striptizeve.

Që, në raste të caktuara, kur bllokohen nga kallzimet e të tremburve apo nga hetimet e hollësishme dhe të paanshme të policive të vendeve të BE-së, vijnë edhe në atdhe për të nisur një jetë pasunarësh.

Por, këtu vijmë në një kapitull delikat: Për të kaluar edhe në … ligjbërje?!
Gjyqësori operon me prova, që avokatët e zotë dinë t’i vlerësojnë ashtu siç duhet. Në rast se Prokuroria nuk është në gjendje të paraqesë prova bindëse, apo të vonojë paraqitjen e tyre, i akuzuari fiton, ndoshta edhe vetëm me procedurë.

Por opinioni ka dhënë një verdikt lidhur me çështjen Frroku, për këtë të jemi të sigurtë, pavarësisht se si do të procedohet. Ka shumë tendenca të së kaluarës, ecuria e të cilave tani është kufizuar dhe do të shkojë drejt mbylljes. Duke nisur nga aktiviteti i tutorëve (pimps, proxenetes…), i fermerëve të drogës, i blerësve të votave, i hajdutëve të taksave. Në rast se e fiton gjyqin me gjyqtarët dhe prokurorët që na kanë zënë derën tanimë, me opinionin nuk e fiton dot kaq lehtë.

Politika shqiptare duhet ta kuptojë këtë gjë dhe të marrë masat e përshtatshme, për të prerë nyjen gordiane që lidh politikën shqiptare me veprimtarinë “underground” të atyre që kanë fituar pushtet ekonomik me rrugë që e kanë të vështirë t’i justifikojnë. Duke nisur spastrimin nga vetja, duke vlerësuar opinionin, siç ndodh në një vend të qytetëruar. Siç pretendojmë dhe siç e kemi të drejtë ta kemi.

Pavarësisht se si shkojnë punët me vendimet gjyqësore, nuk e shohim të përshtatshme praninë e shumë deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, edhe të atyre që kanë zgjedhur të rrinë urtë në këtë kohë. Më e mira për ta do të ishte t’u linin karriget deputetëve të tjerë, që nuk u paguajnë borxhet e prapambetura zgjedhësve tek dyqanxhiu i lagjes dhe që nuk u legalizojnë karburantin 5 metra larg autostradës.

Por, të presësh që ata ta bëjnë vetë një gjë të tillë, do të ishte një përrallë, tepër e bukur për t’u besuar…       


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh