Ky shpërthim shokues i stampës terroriste ndodh në klimën e urrejtjes që mbjell çdo orë dhe çdo ditë ndaj opozitës dhe drejtuesve të saj kryekreu Edi Rama. Ai dëshmon lidhjet e fuqishme të Ramës dhe qeverisë Rama-Meta me krimin, lidhje që qendrojnë në themel të degradimit me shpejtësi të rendit publik dhe sigurisë në vend, rritjes marramendëse të kriminalitetit dhe trafiqeve kriminale”,- shkruan Berisha në “facebook”.
Paraditen e djeshme, Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses së saj, Laura Vorpsi, akuzoi sulmin ndaj kreut të PD-së dega Progradec duke e cilësuar këtë veprim si të frymëzuar nga dhuan që kreu i qeverisë Edi Rama po ushtron ndaj opozitës. “Partia Demokratike e konsideron shpërthimin e granatës në derën e shtëpisë së kryetarit të PD-së së Pogradecit, ku e gjithë familja e tij ishte prezent, si shenjë të pasigurisë së madhe publike, të rritjes së kriminalitetit në vend, dhe të lehtësisë me të cilën goditen përfaqësuesit e opozitës. Qëkur ka ardhur në pushtet, kjo qeveri ka krijuar dhe nxitur një klimë agresiviteti ndaj opozitës. Kërcënime në parlament, dhe dhunë shtetërore e kriminale ka pasur vazhdimisht në këto muaj ndaj demokratëve, zyrtarëve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike.
I bëjmë thirrje qeverisë të heqë dorë nga skenari i kërcënimit të kundërshtarit poltik, pasi ky është një skenar me pasoja të rënda për vendin”, tha Vorpsi. Krahas këtyre, edhe deputeti Arben Ristani, në një deklaratë për mediat theksoi se krimi në vend ka kaluar mbi shtetin duke hedhur poshtë deklaratën e bërë nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pak dit më parë për punënë e policisë në muajt tetor-dhjetor të vitit 2013. “Gënjen veten Ministri dhe Kryeministri i tij, kur përpiqen ti mbushin mendjen popullit se treguesit e kriminalitetit janë në rënie dhe për këtë flasin vetëm për muajin dhjetor dhe vetëm për natën e ndërrimit të viteve duke dhënë vetëm përqindje të pa lexueshme për të fshehur të vërtetën”, theksoi Ristani. Ndërsa ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në një postim në faqen e saj në rrjetin social “facebook” theksoi se ngjarja e ndodhur lidhet ngushtë me rënien e rendi publik pasi sipas saj, policët profesionist janë zëvendësuar me militant të Partisë socialiste.
Reagimi
MB: Shifrat ok, PD ka paranojë
Ministria e Punëve të Brendshme, në një reagim të djeshëm rikonfirmoi edhe një herë statistikat e punës dhe rezultateve të Policisë së Shtetit. Në njoftim thuhej se “MPB konfirmon edhe një herë se gjatë muajit dhjetor 2013 vrasjet janë ulur me 55% krahasuar me dhjetor 2012, ka 55% më shume procedime penale për drogë, janë ulur me 38% aksidentet me pasojë vdekjen, etj. Ministria e Punëve të Brendshme fton Partinë Demokratike të lërë mënjanë retorikën politike me rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve. Drejtuesit e opozitës, për më tepër çdo deputet, është i ftuar të konsultojë të dhënat dhe statistikat e Policisë së Shtetit, në qoftë se vërtetë kanë dëshirë e vullnet për të gjetur të vërtetën. Gjithashtu, MPB e fton opozitën të përdorë çdo instrument parlamentar për të shuar dyshime e paranoja lidhur me shifrat”.
Shkrimi u publikua sot (07.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)