Opozita bëhet pjesë e reformës 
në drejtësi, i përfaqëson Mediu

Opozita bëhet pjesë e reformës <br />në drejtësi, i përfaqëson Mediu
TIRANE- Opozita ka vendosur të bëhet pjesë e nismës parlamentare për reformën në drejtësi. Në takimin konsultativ të zhvilluar dje në Durrës me temë “Drejtësia penale dhe Antikorrupsioni” ka marrë pjesë dhe kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu i cili është shprehur se ai është prezent si përfaqësues i opozitës. Ndërkohë, që ambasadori i SHBA-së në Tiranë ka vlerësuar se në gjyqësorin shqiptar ka gjyqtarë të cilët meritojnë të shkojnë në burg, ashtu sikurse ka prokurorë dhe gjyqtarë që punojnë ndershmërisht.

Opozita
“Unë jam këtu si përfaqësues i opozitës. Dua të them se reforma në drejtësi është një çështje që nuk i përket interesit politik të një mazhorance apo të një opozite, por i përket gjithë shoqërisë shqiptare”, tha Mediu.

Në këtë mënyrë duket se është thyer dhe bojkoti që opozita i ka bërë komisionit të posaccëm. Ndërsa me këtë sinjal do të shihet nëse opozita do të marrë pjesë në hartimin e projektligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

“Përgjithësisht, ligjet me votim cilësor apo me votim absolut janë të tilla sepse nuk janë çështje numrash, por janë çështje të interesit që tejkalojnë interesin politik të një mazhorancë apo të një opozita. Mendoj se bashkëpunimi është mëse i domosdoshëm, sidomos për reformën në drejtësi”, tha Mediu.

Për bashkëpunimin opozita ka risjellë në vëmendje dhe platformën e paraqitur në nisje të punës së komisionit parlamentar.

“Besoj se tashmë është dhe një ofertë e opozitës në tavolinë,  e cila duhet konsideruar që opozita të jetë pjesë aktive e këtij komisioni,  që të mos jetë një pjesë pasive. Besoj dhe në vullnetin e kolegëve të mi të Komisionit të Ligjeve, të cilët  vërtet duan të ndërtojmë një marrëdhënie të qenësishme. Shpresojmë që së shpejti të gjejmë një zgjidhje dhe për këtë çështje”, tha Mediu.

Në propozimin e opozitës kërkohej që përbërja e komisionit të ishte bipartizan dhe projektligjet të cilësoheshin të miratuar në rast se do të kishin votën e të dy bashkëkryetarëve. Pika këto që sipas Mediut do të jenë në qendër të diskutimit mes palëve.

Ambasadori
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu shprehu besimin  që ky proces i reformës në drejtësi, do të krijojë gjithashtu një sistem që restauron besimin e popullit shqiptar në sistemin e tij të drejtësisë. “Të gjitha vendet tona përballen me problemin e korrupsionit. Një demokraci e mirëfilltë e funksionale ka institucionet dhe procesin për identifikimin e korrupsionit, ndëshkimin e përgjegjësve dhe sigurimin e drejtësisë për popullin e vet”, tha Lu.

Dhe një herë ambasadori ka sjellë në vëmendje se pavarësisht akuzave dhe perceptimit mbi korrupsionin në Drejtësi, kemi shumë pak gjyqtarë të dënuar.

"Gjatë viteve të fundit në Shqipëri janë dënuar vetëm tre gjykatës për korrupsion dhe asnjë prokuror. Muajin e shkuar thashë  që disa gjykatës dhe prokurorë në Shqipëri meritojnë të pushohen nga puna dhe disa meritojnë të shkojnë në burg. Kjo mori të gjithë vëmendjen mediatike, por unë thashë gjithashtu që ka shumë gjykatës dhe prokurorë që po punojnë ndershmërisht në Shqipëri që e meritojnë të punojnë në një sistem drejtësie të lirë prej korrupsionit. Të gjithë kemi nevojë të luftojmë për gjykatës dhe prokurorë të pastër, ashtu siç kërkojmë të identifikojmë dhe të ndëshkojmë ata që janë të korruptuar”, theksoi Lu.

Reforma
Pas takimeve konsultative ekspertët e komisionit parlamentar do të nisin punën për hartimin e ligjeve, pjesa më e madhe e të cilave kërkojnë mbi 84 vota. Madje palët janë shprehur dakord për ndryshimin e kushtetutës. Kjo përsa i përket qoftë kompetencave të Presidentit ashtu dhe për rishikimin e strukturës së gjyqësorit në Shqipëri. Pika këto që do të diskutohen më pas mes deputetëve anëtarë të komisionit të reformës në Drejtësi.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)