TEHERAN - Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane ka akuzuar dje të dërguarin e posaçëm të sekretarit të OKB në Irak, Martin Kobler, se po përpiqet të pengojë transferimin e muxhahidinëve iranianë drejt Shqipërisë. Në një komunikatë të tyre, disidentët ndaj regjimit të Teheranit e akuzojnë atë se ka vonuar transferimin e 14 muxhahidinëve të popullit të Iranit nga “Camp Liberty” i Irakut në Shqipëri.

Sipas komunikatës, Departamenti amerikan i Shtetit duhet të jetë mashtruar nga raportimet e rreme të zyrtarit të OKB-së, që deklaron se opozitarët iranianë pengojnë të dërguarit ndërkombëtarë të hyjnë në kampet e tyre. Opozitarët kanë përgatitur një listë me 240 persona, që mund të transferohen në Shqipëri e Gjermani dhe një tjetër me 100 emra do të jetë e gatshme së shpejti.

Ai është përpjekur t’i paraqesë si suksese të tij rezultatin e vizitës së zv.sekretares së Shtetit, Barbara Leaf në Tiranë, ndërkohë që dëmi më i madh vjen nga publikimi i transferimit të 14 muxhahidinëve, që u pasua nga reagimi i diktaturës fetare të Iranit, që kërkon të pakësohet numri i personave, që do të strehohen në Shqipëri, vijon komunikata, duke ftuar sekretarin amerikan, John Kerry të dërgojë zyrtarë për të verifikuar situatën e krijuar. (Në foto: Qeveria e Iranit)

Shkrimi u publikua sot në "Shqiptarja.com"