Opozita, takimi i parë për 2012
Zogaj: Duam proporcional kombëta

Opozita, takimi i parë për 2012<br />Zogaj: Duam proporcional kombëta
TIRANË – Opozita propozon korrigjimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri duke mbështetur atë proporcional kombëtar.
Ndryshimi i sistemit dhe reforma zgjedhore në tërësi ka qenë një prej temave të diskutimeve në takimin e parë të PS me aleatët.
Takimi është thirrur nga kreu i PS, Rama dhe në të kanë marrë pjesë Gjinushi i PSD, Milo i PDS, Ngjela i PLD, Koçi i PSV '91, kreu i PDK Ndoka si dhe sekretari për koalicionin në PS, Ndre Legisi si dhe sekretari për çështjen zgjedhore, Damian Gjiknuri. Për të disatën herë mungon kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili konfirmohet se ndodhet jashtë vendit.
Sipas zyrës së shtypit të Partisë Socialiste çështja e reformës zgjedhore, dhe veçanërisht kërkesa e partive të vogla, mbështetur nga PS, për sistemin ishte një ndër temat e bisedës. Të ruhet sistemi proporcional rajonal, por me korrektim kombëtar ishte një ndër çështjet ku krerët e koalicionit kanë rënë dakord. Ata kanë vendosur se në këtë çështje do të këmbëngulet, por nuk do të jetë një kusht në tryezën me palën tjetër.
“Diskutuam për ecurinë e deritanishme të Reformës Zgjedhore. Zoti Damian Gjiknuri, si përfaqësues i PS në komisionin bipartizan dhe Kryetari i PS, sigurisht, informoi aleatët për punën e bërë deri tani. U shpreh dakortësia e të gjitha partive të koalicionit për një reformë zgjedhore që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në të gjithë elementet e saj, në të katër shtyllat kryesore e platformës së përbashkët që kjo opozitë ka firmosur”, tha Zogaj pas takimit.

“I PREFERUAR, SISTEMI PROPORCIONAL KOMBËTAR”
Zogaj tha se në tryezën e opozitës u diskutua gjithashtu edhe për çështje të sistemit.
“Opozita është e gjitha në një mendje për nevojën e korrektimit kombëtar. Por, natyrisht opozita do të vazhdojë të kontribuojë me përfaqësuesit e vet që kjo kërkesë të realizohet, por pa u bërë pengesë për realizimin e kërkesave të tjera.
Nuk u diskutua për çështjen e krijimit të një konfederate nga tre parti të majta, sepse të tre partitë e majta që janë aleate të PS ishin të përfaqësuara në këtë tryezë me kryetarët e tyre dhe natyrisht që ide apo opsione të tilla janë artikuluar në rrethana të tjera. Këto tri parti janë të interesuara që të forcojnë koalicionin me PS.Reforma bëhet nga të dyja palët. Kjo opozitë ka publikuar një platformë dhe i ka renditur ato katër shtyllat e vizionit të saj për platformën. Pikë së pari ne jemi të interesuar tek një administrim korrekt dhe tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme në kuptimin që voton çdo qytetar vetëm një herë dhe jo dy herë, vota e gjithsecilit që hidhet të numërohet në mënyrë korrekte, nuk ka trafik vote e kështu me radhë...por, natyrisht që sistemi është pjesë e platformës sonë. Ne do ngulmojmë, opozita do ngulmojë deri në fund edhe për ndryshimin e sistemit, por e përsëris edhe njëherë, që kërkesa për ndryshimin e sistemit nuk është kusht për të bllokuar procesin dhe besoj që ky është një qëndrim i arsyeshëm e konstruktiv”, tha ai.

PROGRAMI I PS PËR NJË RILINDJE SHQIPTARE
“Partia Socialiste si partia më e madhe e opozitës ka një program të gjerë të publikuar në të cilin do të përfshihen edhe ide, propozime nga partitë aleate. Do ketë një program të përbashkët ku do të integrohen të gjitha këto specifika që kanë partitë e ndryshime të koalicionit, përfshirë çështjet madhore që kanë të bëjnë me zgjidhjet definitive të problemit të pronës në Shqipëri dhe me çështje që kanë të bëjnë me një model ekonomik me orientim prodhues që të mund të projektojë të ardhmen e Shqipërisë në dekadën e re. Një e ardhme, natyrisht, e re që mbështetet në një ekonomi jo tregtare, siç është deri tani, por në një ekonomi me përparësi prodhuese.”

“HARROHET” PRESIDENTI
Takimi i liderit të opozitës me krerët e partive aleate zgjati më shumë se 2 orë. Zogaj pohoi për mediat se në këtë takim nuk u fol për çështjen e zgjedhjes së presidentit.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete