DEBATET/ Opozita vendos flamurin serb në Kuvend, Balla u kërkon ta heqin: Mos provokoni! Bardhi: Lërini patriotizmat, vidhni Shqipërinë

Gjatë seancës në Kuvend, ku po diskutohet pr.buxheti 2025, opozita vendosi disa postera me flamujt e vendeve të rajonit, mes tyre edhe ai serb, për të treguar situatën me pensionet në rajon. Në flamurin serb tregoheshin fondet për IPARD në Serbi krahasuar me Shqipërinë. 

Kjo situatë solli reagimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili gjatë fjalës së tij i kërkoi opozitës që ta hiqnin.

“Hiqeni atë flamurin e një vendi tjetër këtu. Ç’pune keni me flamujt e vendeve të tjera që i varni këtu dhe shkruani emra shtetesh? Hiqini ato dhe mos bëni provokime kot,” u shpreh Balla.

Ministri Balla theksoi rëndësinë e flamurit kombëtar shqiptar, duke e quajtur “yll bote” dhe kundërshtoi krahasimet me vende të tjera, duke sfiduar opozitën për një debat konkret mbi buxhetin.

“Keni që në mëngjes, foli parafolësi Serbia e ka kaq, Serbia e ka keq, ne e kemi kaq dhe s’e kemi kaq. Ne nuk krahasohemi me asnjërin nga këta vende. Nëse flasim për buxhetin, merrni buxhetin e Shqipërisë të vitit 2013 dhe krahasojeni me buxhetin e vitit 2025. Tre herë është rritur buxheti i shtetit shqiptar,” tha Balla, duke nënvizuar progresin ekonomik të vendit.

“Vendin e kemi bashkë!”, përfundoi Balla, duke i bërë thirrje opozitës për bashkëpunim dhe respekt ndaj simboleve kombëtare.

Ballës i replikoi në orët e vona të mbrëmjes kreu i Grupit, Gazment Bardhi.

"Mos i vidhni fondet që vijnë nga BE. Lërini këto patriotizmat e shtirur, të ishit patriotë nuk e vidhnit Shqipërinë, do i donit qytetarët shqiptarë dhe lekët që BE sjell për ta s’do i kishit futur në xhepa", tha Bardhi. 

Ndërkohë me anë të një postimi në Facebook deputetja e PD Ina Zhupa shprehet se Balla nuk u shqetësua për gjysmën tjetër të fotos, por u shqetësua për flamurin.

“Pse nuk e shqetëson Ballën gjysma tjetër e fotos që retushon?

0 euro nga fondet IPARD III merr Shqipëria. Është bllokuar sepse sepse i kanë vjedhur dhe masakruar qeveria e tij dhe si ka marr fermeri.

Kjo Zero e Shqipërisë duhet ta shqetësoj më shumë se krahasimi me Serbinë.

Patriotizmi nuk tregohet duke vjedh vendin dhe duke thënë Flamurit 'yll bote', po duke berë vendin 'yll bote', lartësohet vetë Flamuri”, shkruan Zhupa në Facebook.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:46
Serbia 'sillet' në Kuvend edhe nga deputeti Luan Baçi: Me fondet që mori nga IPARD 3, do të vërshojë edhe në tregun shqiptar

Serbia vazhdon të 'sillet' në Kuvend edhe nga deputeti Luan Baçi. Gjatë fjalës së tij, Baçi u shpreh se prodhimet serbe, bujqësore dhe blegtorale duke marrë fonde nga BE edhe subvencione nga shteti i tyre serb, do të vërshojë edhe në tregun shqiptar.

“Pak ditë më parë ambasadori i BE në Serbi ka dorëzuar paketën për sektorin bujqësor me financim 288 milionë euro.

Këto janë fondet të IPARD 3 që do të shërbejnë për zhvillimin rural dhe nxitjen e prodhimit vendas në Serbi. Prodhimet serbe, bujqësore dhe blegtorale duke marrë fonde nga BE edhe subvencione nga shteti i tyre serb, do të vërshojë edhe në tregun shqiptar.

Fondet e IPARD i keni pezulluar, i vodhët 33 milionë euro dhe nuk kanë adresë. Unë kam një thirrje për ministren e bujqësisë: Përse nuk bëni publike listën e gjithë fermerëve në thonjëza që kanë përfituar nga milionat e IPARD-it të ardhur nga BE. Ky ka qenë një denoncim i zyrës së Olafit, zyrë e BE për antikorrupsion, nuk është denoncim i opozitës që ta quani si denoncim politik ”, tha Luan Baçi.

Ora 19:45
Balla u kërkoi ta hiqnin flamurin serb në Kuvend, PD e mbulon me letër

Foto: PD mbulon me letër flamurin serb

Një situatë e pakëndshme ndodhi gjatë sencës plenare në Kuvend, ku opozita vendosi disa postera me flamujt e vendeve të rajonit përdshirë edhe atë serb për të treguar situatën me pensionet në rajon.

Megjithatë duket se pas reagimeve të Taulant Ballës për këtë veprim PD ka vendosur që ta mbulojë flamurin me letër të bardhë.

Xh.K/SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Çfarë është Jubileu, sa shpesh festohet, kuptimi fetar dhe viti 2033

Çfarë është Jubileu, sa shpesh festohet, kuptimi fetar dhe viti 2033