Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, u shpreh optimist për punën e ekipit këtë fillim sezoni. I afruar në maj, Tare ia doli të merrte në ekip emra me peshë dhe skuadra është pranë kreut në kampionat. Me nënshkrimin e trajnerit Massimiliano Allegri dhe disa transferimeve të rëndësishme, Milani po rikthehet fuqishëm si protagonist dhe synon rikthimin në Ligën e Kampionëve, madje edhe më shumë.

“Do të gënjeja nëse do të thoja se nuk dua të fitoj titullin. Projekti është ambicioz, sollëm 19 lojtarë dhe sistemuam 23. Jemi në rrugën e duhur dhe dua të fitoj trofe të mëdhenj me këtë klub të lavdishëm. Duhet të jemi të përulur. Ibrahimovic? Është gjithmonë kënaqësi të jesh me të”, tha Tare.

Kjo është hera e parë që Milani luan një sezon pa gara evropiane, gjë që sipas Tares i jep mundësi stafit të punojë më shumë në detaje gjatë javës dhe të hedhë themelet për të ardhmen.

Dita e derbit të madh të Milanos po afron dhe Tare tregon emocionet e tij.

“E njoh mirë derbin e Romës, por jam kurioz të përjetoj derbin e Milanos. Kam qenë tifoz i Milanit, kështu që ka një rëndësi të veçantë për mua. Këto ndeshje nuk luhet, por fitohen. Do të jetë e rëndësishme, por jo vendimtare”, tregoi ai.

Të dielën në orën 20:45 luhet Inter - Milan, duel që vlen për raundin e 12-të në Serie A.