“33 vjet kam qenë ushtar i Sali Berishës dhe vazhdoj të jem po të jetë garë e barabartë!” tha të mërkurën demokrati durrsak Lavdosh Serani, teksa bashkë me Dritan Burgijan dhe Arlind Boshkun protestuan përpara selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, kundër përjashtimit të tyre nga kjo forcë politike.

Por vetëm pak orë pas kësaj deklarate, erdhi edhe reagimi hakmarrës i organit zyrtar të PD, gazeta “Rilindja Demokratike”, e cila duke harruar sakrificat e demokratit, ka ndërmarrë një sulm të drejtpërdrejtë kundër Seranit .

Në shkrimin e saj, Rilindja Demokratike hedh akuza për bashkëpunim me mazhorancën dhe duke cituar një artikull të Ora Neës të vitit 2020 e lidh Seranin me mafian italiane Ndrangheta dhe një prej proceseve më të mëdha antimafia në Itali.

“Roli i shqiptarëve ishte furnizimi i ndranghetistëve me marijuanë e hashash që vinte nga Shqipëria përmes portit të Barit, Trafikimi realizohej përmes një grupi trafikantësh shqiptarë me bazë në veri të Italisë, shumica e të cilëve në rajonin Toskana. Faza paraprake e blerjes së drogës nga Brazili e Shqipëria organizohej nga persona të caktuar “broker” të cilët kontraktonin drejtëpërdrejtë me kartelet e drogës si në Brazil dhe në Shqipëri e ishin garancia si për cmimin e saj ashtu dhe për transportin e shpërndarjen me shumicë’ thuhet në artikull.

Koha e publikimit të këtij artikulli konfirmon se Lavodsh Serani po sulmohet me akuza të qepura me porosi, siç ndodh rëndom me këdo që ka dalë kundër Sali Berishës. Në akuzat që ky i fundit ka artikuluar kundër Ervin Salinjit, e ka akuzuar gjithmonë si jo-demokrat dhe zhurmues të Edi Ramës. Edhe kësaj here, RD, organi zyrtar i PD-së nuk del jashtë linje. 

Të mërkurën, Serani shkoi në selinë blu për të kundërshtuar përjashtimin e dy këshilltarëve nga grupi i PD-së në Këshillin Bashkiak të Durrësit Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, që sipas tij erdhi për shkak të grupit mafioz të Oerd Bylykbashit, i cili ka qenë edhe drejtues qarku. Ai tha se është rreshtuar në krah të Ervin Salianjit sepse dëshiron një garë të drejtë në PD.