TIRANE- Basha mbledh një grup të studentëve të “Dhjetori 90” në selinë e Partisë Demokratike. Lajmi bëhet i ditur nga burime të brendshme të selisë blu të cilët theksojnë se në këtë takim Basha kishte ftuar vetëm ato studentë të vitit 1990 të cilët kishin pasur në kohën e qeverisjes Berisha poste të larta drejtuese. Takimi ndërmjet kreut të partisë bëhet në një kohë kur PD-ja ka nisur riformatimin e saj të brendshëm, por nga ky takim duket se premtimet e Bashës për ripërtëritjen e partisë dhe vendosjes së një sistemi kariere duket se biejn ndesh. Kjo pasi përfaqësia e studentëve të “Dhjetorit 90” përbëhej vetëm nga persona të vendosur në poste të larta nga Berisha dhe jo nga zërat kundër që janë brenda këtij grupimi.

Takimi
Takimi ndërmjet kreut të PD-së dhe disa prej studentëve të “Dhjetorit 90” u zhvillua ditën e mërkurë në ambietet e selisë së Partisë Demokratike, pak minuta pasi kryetari Lulzim Basha kishte zhvilluar edhe mëngjesin e punës me trupën diplomatike të akredituar në Tiranë. Ky takim nuk u bë publik nga vetë selia blu por mësohet se tema e këtij takimi ishin zhvillimet e fundit në rafshin politik të vendit.

Grupimi i studentëve që kishin takuar bashën përbëhej nga rreth 12 persona të cilët tani më pritet që të marrin edhe poste të larta drejtuese në parti. Bëhet e ditur se Basha i ka dhënë mbështetjen e plotë këtij grupi prej rreth 12 personash për të marrë pjesë në ripërtëritjen e Partisë Demokratike duke lënë të kuptohet se personat që më parë kanë qenë mëbshtetësit e Berishës në qeverisjen e tij 8 vjeçare do të vijojnë që të mështesin edhe kreun e ri të PD-së ose më saktë pasardhësin Lulzim Basha.

Problematika
Pavarësisht se takimi në pamje të parë rezulton si diçka pozitive në ripërtëritjen e Partisë Demokratike, kjo ka disa problematika si përzgjedhja e përfaësuesve e etj. Burme nga përfaqësitë e kësaj lëvizjeje, “Dhjetori 90” bënë të ditur për gazetën “Shqiptarja.com”, se nuk ishin në dijeni të këtij takimi ndërmjet Lulzim Bashës dhe personave që përfaqësonin këtë lëvizje. Ata shprehën se përzgjedhja e tyre është bërë selektive në bazë të interesave të vetë partisë. Kjo gjë konfirmohet edhe me faktin se në këtë takim nuk ishte as një nga studentët të cilët kanë nfgritur zërin kundër Sali Berishës dhe as përfaqaësia e Azem Hajdarit.

Kësisoj Basha me sa duket ka përzgjedhur persona të caktuar për t’i vendosur nënë drejtim e Partisë Demokratike duke forcuar edhe më shumë pozitat e tij brenda strukturave si edhe jashtë saj, në elektoratin demokrat. Kjo pasi pjesa më e madhe e votuesve të PD-së përbëhen nga familjarë të studentave të “Dhjetorit 90” dhe me riafrimin e tyre, Basha duket se po synon që të heq edhe përçarjet e mundshme që mund të ketë brenda elektoratit.


Shkrimi u publikua sot (02.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)