DURRËS- Teksa kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe “goditjen” e paligjshmërisë vijon, policia e Durrësit ka arrestuar 2 persona të cilët nëpërmjet aparateve të tyre celular, organizonin aktivitetin e lotarive të palejuara të basteve sportive.
Dy të rinj, Ermal Sfinjari 22 vjeç dhe Erandi Malo 20 vjeç, banues në Sukth, Durrës, janë kapur në një ambient, ku luhej playstation, duke organizuar dhe ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lotarive të palejuara.
Me duar lart pas murit, policia ka vënë në pranga 2 të rinjtë në ambientet ku u kapën duke kryer aktivitetin e paligjshëm.
Nga kontrolli i imtësishëm i ushtruar nga shërbimet e Policisë, në ambientet e brendshme ku disponohej informacion se mund të zhvillohej aktivitet i kundraligjshëm i lojërave të fatit nëpërmjet makinetave, çipsave, ruletave e sende të tjera që shërbenin për zhvillimin e këtyre lojërave, nuk është konstatuar asnjë send i tillë, përveç aparateve celular të sekuestruar, që shërbenin për zhvillimin e aktivitetit të basteve sportive.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.