Një 25-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi organizonte lojëra fati në lokalin e tij.

"Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi G. B., 25 vjeç, pasi në lokalin që ai administronte, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, organizoheshin lojëra fati në anë të kompjuterit dhe celularit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale", thuhet në njoftimin e policisë.

 Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Vetëm në tre vitet e fundit, sipas shifrave zyrtare të siguruara nga Report TV, janë zbuluar gati 1200 raste të basteve të paligjshme, dhe gati dyfishi është numri i atyre që janë ndjekur penalisht për këtë aktivitet. 

Tirana ka numrin më të lartë, bazuar edhe në raportin me popullsinë, ndjekur nga Durrësi dhe Korça. Në shifra të papërfillshme janë qarqet Kukës dhe Shkodër.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i cili e kundërshtoi prej fillimit bllokimin e basteve, thotë që shteti duhet ta kontrollojë këtë treg të zi, te i cili qarkullojnë para të pista.

"Luajnë në të zezë, asnjëri nuk është i siguruar. Para që mund të vijnë nga kontrabanda, nga korrupsioni, para të pista dhe luajnë në baste", tha ai për Report Tv.

Ligji për rikthimin e basteve online është prej dy vitesh në fuqi pas miratimit më 15 shkurt 2024, por ende i pamundur për t’u zbatuar pasi ende nuk janë miratuar aktet nënligjore.