PRISHTINË - Orges Shehi është zyrtarisht trajneri i ri i FC Prishtinës në Superligën e Kosovës në futboll. Klubi konfirmoi emërimin e tij përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke i dhënë fund spekulimeve të ditëve të fundit.
Shehi do të marrë drejtimin e ekipit nga sezoni i ardhshëm, duke zëvendësuar Alban Dragushën, i cili ndërpreu bashkëpunimin me klubin me marrëveshje të dyanshme pas përfundimit të sezonit. Shehi do të jetë pjesë e Prishtinës për të paktën një sezon, me mundësi rinovimi.
Në njoftimin zyrtar, FC Prishtina theksoi se ka arritur marrëveshje me trajnerin shqiptar, i cili rikthehet në Kosovë me një përvojë të konsiderueshme në futbollin shqiptar. Gjatë karrierës së tij si trajner, Shehi ka drejtuar skuadra të njohura si Skënderbeu, Kukësi, Partizani, Ballkani dhe së fundmi Tirana.
Periudha e tij më e suksesshme ishte te Tirana në emërimin e parë, ku arriti të fitojë titullin kampion dhe Superkupën e Shqipërisë. Ndërkohë, me Skënderbeun ai triumfoi në Superkupën e Shqipërisë. Për arritjet dhe rezultatet e tij, Shehi është shpallur dy herë “Trajneri i Vitit” në Shqipëri, në vitet 2022 dhe 2023.
Përpara karrierës si trajner, Shehi ndërtoi një emër të rëndësishëm edhe si portier, duke qenë një nga figurat më të njohura të futbollit shqiptar ndër vite.
Pas zyrtarizimit të marrëveshjes, trajneri i ri i Prishtinës u shpreh i entuziazmuar për sfidën e re.
“Është kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe që jam pjesë e një klubi si Prishtina. Shpresoj dhe besoj se të gjithë së bashku, klubi, stafi teknik, lojtarët dhe tifozët do të bëjmë maksimumin për ta rikthyer Prishtinën aty ku i takon.”
Komente









