Orgesa Zaimi, tashmë përtej Shqipërisë

Orgesa Zaimi, tashmë përtej Shqipërisë
E lançuar për herë të parë në një format ku zbulohen talentet e reja “Si Ethet e së Premtes Mbrëma” këngëtarja e njohur Orgesa Zaimi ra menjëherë në sy për vokalin dhe stilin e saj të veçantë. Megjithatë rruga e saj për të konfirmuar talentin nuk u ndal me aq. Ajo do të merrte pjesë gjithashtu në talent show “Star Academy” ku sërish spikati si një konkurrente e fortë e atij edicioni. Kohët e fundit Orgesa i ka munguar skenave shqiptare dhe mënyra më e mirë për t’u bërë sërish pjesë e muzikës, ishte pikërisht eventi muzikor i Top Fest 9. Ajo vjen me këngën “Magnet” me tekst të shkrimtarit Agron Tufa. Jemi mësuar të shohim gjithmonë “vajzën rock” tek ajo, si në stilin e veshjes, pamjes ashtu edhe materialet muzikore. Por këtë radhë Orgesa ka befasuar me një stil veshje ndryshe, heqje të balukeve dhe një këngë më ritmike larg rockut, i cili është dhe pika e saj e fortë. Në një intervistë për suplementin THASH&THEM, këngëtarja rrëfen për pritshmëritë në Top Fest, projektet e ardhshme, ndryshimet të cilat do të vazhdojnë tek ajo si dhe për albumin më të ri, i cili do të përmbajë 13 këngë në gjuhën angeleze.


Orgesa, ju kemi parë ndryshe në skenën e Top Fest, me një këngë të re që titullohet Magnet,. Një këngë që nuk i përket rrymës rrok, po e “tradhëtoni” këtë rrymë kohët e fundit?

Besoj se, duhen provuar edhe tinguj të tjerë apo edhe devijime të vogla nga stili i zakonshëm. Si subjekti i këngës ashtu edhe vetë melodia , janë të reja edhe për mua, por është e nevojshme që të tregosh që mund të japësh shumë edhe në dimensione të ndryshme. Nuk i dihet sesi mund të më marr muzika në të ardhmen, më pëlqen shumë të eksperimentoj dhe aktualisht jam duke e bërë këtë. Megjithatë muzika rock dhe nën degët e saj do të mbeten gjithnjë të preferuarat e mia.


Si është pritur kënga deri tani?

Po të gjithë luftojnë që të kenë sa më shumë shikues në YouTube , sepse aty matet edhe impakti tek publiku, megjithatë mendoj se me reklamimin e madh që i bën “Top Media” këngëve të Top Fest, i kam krijuar disa simpatizantë të këngës.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë këngë?

Dëshiroj që kënga “Magnet” të arrijë ashtu siç duhet tek publiku dhe kritika, si koncepti i këngës në tematikë po ashtu edhe në materialin muzikor, që është punuar jashtë Shqipërisë, në një studio shumë prestigjioze zvicerane. Do doja që përpjekjet e mia për të sjellë një produkt origjinal dhe të veçantë të shpërbleheshin.

Mund të na thoni diçka më tepër rreth përmbajtjes së saj?

Patjetër, tekstshkruesi Agron Tufa ka bërë një punë shumë të mirë me subjektin që i ka dhënë këngës. Ajo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, por thelbi qëndron tek një dukuri e rëndomtë që ndodh në botë ose në tokë, që edhe krijesat normale edhe ato mbinormale apo krijesa qiellore bien pre e natyrës njerezore, duke u përbaltur e duke zhdukur delirësinë e një qenieje. Tingëllon pak e ngatërruar dhe pak fare si filozofike, por jo të gjitha tekstet e këngëve duhet të jenë të thjeshta, duhen shume dëgjime për t’a kuptuar apo interpretuar këtë tekst.

Pse ia besoni çdo këngë tuajën Agron Tufës?

Sepse çdo tekst që ai shkruan për mua dhe për këngët që i servir, janë të realizuara dhe më shumë stil ORGESA brenda. Që të shkruash një tekst për një këngëtar duhet të dish edhe natyrën e tij apo të saj, jo thjesht t’i përshtatesh muzikës. Agroni e ka kuptuar fare mirë se çfarë më pëlqen dhe çfarë jo, e deri tani jemi një skuadër shumë e mirë.

Keni menduar t’a shoqëroni këngën me një klip?

Po e kam menduar, sepse si do që të shkoj konkurimi në Top Fest, kam dëshirë t’i bëj video këngës “Magnet”. Kam disa ide duhet të vendos cilën të zgjedh midis tyre dhe deri në fund të majit të përfundoj xhirimet.

Cilat janë projektet tuaja pas Top Festit?

Jeta vazhdon edhe pas Top Festit (qesh), kështu që shumë gjëra të bukura na presin. Punë të papërfunduara e plane shumë, që uroj t’i realizoj ashtu siç dua.

Si po ecën puna me Albumin tuaj të ri, dhe sa materiale përmban ai ?

Albumi është publikuar në website-in tim www.oz-rocks.com, aty kush të dëshirojë mund t’i dëgjoj 13 këngët në anglisht, të miat dhe jo cover, dhe po ashtu në këtë moment së bashku me producentin tim Domenique Meyer , jemi duke kontaktuar me shtëpi apo studio diskografike të interesuara, për të blerë këtë produkt i cili shpresoj dhe uroj që të me hap dyert e muzikës përtej Shqipërisë.

Me kë keni bashkëpunuar për këtë album?

Me një muzikant dhe producent zviceran, Domenique Meyer, i cili ka kompozuar dhe prodhuar të gjitha këngët, po ashtu masterizimi i albumit është bërë në Los Angeles në studion “The Lodge”, ku kam bashkëpunuar me shumë muzikantë (baterist, pianist, kitarist, basist) që kanë luajtur instrumentat në studio, dy backvokaliste zvicerane dhe një kitarist nga Danimarka. Videon promo edhe ju keni patur mundësi ta shihni në Supersonic tv këngën “EVERY MINUTE”, të realizuar nga studio A-50 në Firenze, dhe një servis fotografik nga Edvina Meta i shtohet gjithashtu gjithë prezantimit të këtij projekti.

Janë të gjitha këngë të rrymës rrok?

Janë 13 këngë pop rock, por secila ka edhe elemente të tjerë, por kryesisht orientimi i zhanrit është tek rock-u klasik, që përmban 4 instrumentat e zakonshëm bas, kitarë, tastierë e bateri. Pa shumë elemente elektronike, përveç një ose dy këngësh.

Kur do ta kemi në treg?

Siç e përmenda më sipër nuk do ta kemi në treg në Shqipëri, dhe ndërkohë akoma nuk është bërë gati për treg në format cd. Shumë shpejt mendojmë t’a hedhim në iTUNES dhe duke qenë që këngët janë të gjitha në gjuhën angleze, do jetë orientuar për një treg jo shqipfolës. Por e kam menduar vazhdimisht edhe një album në shqip, sepse është e rëndësishme për publikun tim. Por le t’ja lemë kohës.

Kënga juaj e fundit “Every Minute”, do të përfaqësonte Zvicrën në Eurovision, ndiheni e mërzitur që nuk shkuat atje?

Aspak, madje edhe pritëshmëria ime ishte shumë e vogël, pasi edhe pse u përzgjodha si konkurrente nuk mendoja se do dilja në finalen e festivalit zviceran. Kjo për një arsye krejtësisht të ditur, që është pamundësia e depërtimit në një treg të tillë, në një kohë aq të shkurtër. Edhe pse kënga dhe video u pëlqyen dhe moren kritika pozitive, duhen një serë gjërash që mund të të bejnë vetëm të mendosh, që mund të përfaqësojë një shqiptare Zvicrën në Eurosong.

Si ju duket kënga që do të përfaqësojë vendin tonë?

Më pëlqen stili dhe personi artistik i Ronës, dhe kënga e reflekton çdo gjë të saj. Mendoj se , do të jetë e favorizuar këtë vit për shumë arsye, e para dhe më e rëndësishmja duke qenë se ai është një festival gjeopolitik, do të jetë hera e parë që një këngëtare kosovare, përfaqëson Shqipërinë dhe shkel për herë të parë atje. Stili i këngës hyn në ato thellësisht jo komercialet në atë festival, gjë që unë them se do të jetë e vlerësueshme nga kritika. Por le të shohim çdo të ndodh dhe t’i urojmë fat Ronës, sepse e meriton.

Përveç muzikës, një pjesë të mirë të kohës suaj e kaloni edhe në radio, çfarë është radio për ju?

Unë shpenzoj 5 ditë të javës në radio, kështu që them se është e rëndësishme për mua. E kam dashur gjithnjë radion, si fillim si përcjellesin më të mirë të muzikës pa video ose imazh, sepse të lejon të fantazosh në, 1 mijë mënyra dhe të krijosh një botë tënden. Nga ana tjetër ka nxjerrë në pah edhe aftësine time, për të patur një zë edhe radiofonik dhe aftësi për të drejtuar një program.


Po bëni në një farë mënyre rolin e moderatores, e shihni veten në gazetari në të ardhmen?

Kur isha e vogël e shihja veten në gazetari, tani i jam përqëndruar muzikës dhe të gjitha formave të saj, qoftë kjo ndër to edhe radio. Për momentin ndihem shumë mirë në këtë gjë, që e bëj çdo ditë nga e hëna në të premte, në radion Club Fm dhe nuk do t’a ndryshoja me asgjë tjetër, përveç muzikës dhe këngëve të mia kuptohet (qesh).

Bashkëshorti juaj është gazetar, si ndiheni përkrahë një gazetari?

Përkrah një gazetari ndihem si këngëtare, por përballë bashkëshortit tim ndihem bashkëshorte dhe shumë e lumtur , sepse ai më bën të tillë.


Ju kemi parë gjithnjë me baluke dhe me flokë të zeza, tani shoh që i keni hequr baluket, keni në plan të ndryshoni luk?

Po kam vendosur t’i harroj baluket për pak kohë ose shumë kohe nuk e di, kjo për faktin se do doja që të nxirrja në pah të gjitha tiparet e fytyrës sime . Duke qenë se jam në këtë periudhën e ndryshimit, me kënget apo me stinët, them se edhe baluket i mori rryma.

Sa kujdeseni për lukun tuaj?

Mundohem të gjej veshje apo modele që i përshtaten trupit dhe natyrës sime, sesa e realizoj këtë nuk e di. Se ka ditë të mira dhe ka ditë të këqija si për çdo femër, por unë gjithnjë kam dëshirë, që të provoj edhe gjëra të reja mos të qendroj vetëm tek e zeza psh.

Jeni një këngëtare shumë trendy, shpesh herë edhe në skenë reflektoni një stil “casual”, keni rroba klasike në garderobën tuaj?

Në garderobën time këto kohët e fundit gjen më shumë veshje të përditshme apo “casual”, të cilat i kombinoj edhe për aparencat nëpër televizione. Por padiskutim që veshjet klasike, që për mua janë fustanet apo kostumet i ruaj me shumë fanatizëm. Siç e thashë më sipër çdo gjë ndryshon në varësi edhe të gjendjes shpirtërore apo edhe të stilit, që duhet të ndjekësh për një dalje të caktuar.
SU/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje