TIRANE - Kapitenia e skuadrës fituese ishte Oriana Cama, e njohur si Dona (Ta jep Dona ty…), personazhi që përfaqëson një agjenci turistike abuzive në spektaklin e Portokalli-së.  E vetmja gjë e përbashkët me karakterin e saj mund të jetë turizmi, por sigurisht në kahe të kundërta me Donën.

Sapo jeni shpallur fituese… e festivalit të Rafting.. Ishte një garë e vështirë?
Në fakt unë nuk jam fituesja, pasi garën e fitoi skuadra jonë, Skuadra e Monologistëve, e cila përbëhej nga 6 aktorë dhe një instruktor i rafting, Kështu që ne jemi shpallur fitues si skuadra që veproi me shpejt dhe bashkëpunoi më shumë gjatë garës. Ishte një garë e bukur më shumë sesa e vështirë. Për të gjithë grupin ishte hera e parë që vizitonin kanionet (përveç meje dhe Florit),dhe  bukuria dhe magjia që kanë  kanionet e Skaraparit nuk të lënë kohë të lodhesh sepse nga momenti në moment eksploron gjëra të reja. 8 ujëvara të ndryshme, ngushtica e kanionit, katedralja, porta e djallit, krokodili, bastuni...(emra të vendeve brenda në kanion) dhe të gjitha këto  nuk të linin kohë të lodheshe apo të ndieje vështirësinë, përveç faktit që për mua ishte  e disata herë që bëja rafting dhe e njihja vendin, rregullat dhe disiplinën e rafting.

Skuadra e Monologistëve nga cilët përbëhej?  Kush ishte kapiteni?
Skuadra e Monologistëve u krijua  dhe u pagëzua nga Romir Zalla i cili këtë sezon në “Portokalli” kishte monologjet për fëmijët. Pjesë e skuadrës ishin: Gent Hazizi, Marin Orhanisi, Xheni Hallullu,unë dhe Ledio Lako i cili ishte dhe kapiteni i skuadrës. Meqë në të gjitha përrallat qerosët fitojnë gjithmonë,edhe në gomonen tonë, Ledio ishte fatsjellësi.… Gjithashtu nuk duhet harruar edhe instruktori i skuadrës tonë, Astrit Ziu!

Rafting është një pasion i fortë për ju? Cfarë përjetoni gjatë rafting?
Rafting për mua është dashuri! Tani e them e bindur! Pasi sa herë që bëj rafting përjetoj ndjesi të reja, të jashtëzakonshme. I harroj të gjitha, e harroj stresin, lodhjen...dhe më besoni  kjo ju ndodh të gjithëve kur janë aty...I gjithë grupi i aktorëve kur po iknim nga kanionet thoshin: “Aty i harron  të gjitha!" Nuk ju bind dot me fjalë, as nuk mundem të transmetoj atë magji që ndodh kur je brenda në kanion. Duhet ta provosh që të kuptosh fjalët e mia dhe të besosh që janë të vërteta dhe jo ekzagjerim. Jemi me fat që kemi vende kaq të bukura dhe jemi kaq pa fat që nuk dimë t’i vlerësojmë ato!

Si do ta bënte agjencia “Ta jep Dona ty” një paketë për rafting?
Shumë thjesht...do të kontaktonte me Albania Rafting Grup dhe paketën e  tyre do ta shiste  3 herë më shtrenjtë dhe do të thoshte se kanionet e Osumit janë ekskluzivitet i agjencisë së saj (sic ndodh rëndom me turizmin në Shqipëri) por unë si Oriana dhe jo si Dona, do të thoja se rafting në Shqipëri di të bëjë vetëm Albania Rafting Grup!