OSBE: PD përdori mjetet
publike gjatë fushatë zgjedhore

OSBE: PD përdori mjetet<br />publike gjatë fushatë zgjedhore
TIRANE- OSBE-ODIHR ka zbardhur dje raportin e zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtuara më 23 qershor. Në këtë raport theksohet fakti se Partia Demokratike ka përdorur administratën dhe mjetet publike për fushatën e saj. Po ashtu ajo ka saktësuar faktin se KQZ gaboi kur mori vendimin për shpërndarjen e kasetave nga partitë politike
 
OSBE-ODIHR ka zbardhur raportin përfundimtar për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Ndërsa vlerësoi zgjedhjet si të konkurrueshme dhe të lira, raporti përfundimtar evidentoi një sërë problemesh serioze, midis të cilëve mosfunksionimin e duhur të KQZ-së, presionin mbi administratë apo mosarritjen e cakut ligjor prej 30% të femrave në listat e deputetëve prej tre partive kryesore të vendit, PS, LSI dhe PD. “Zgjedhjet e 23 qershorit ishin kompetitive dhe me pjesëmarrje aktive”, ishte përcaktimi i OSBE-ODIHR për votimet. “Megjithatë, fryma e mosbesimit mes dy partive njollosi klimën zgjedhore. KQZ ishte e cunguar pas dorëheqjes së 3 anëtarëve dhe dështoi në zbatimin e projekteve për numërimin dhe verifikimin elektronik”, shkruhej në raport.

Shkeljet
Raporti ka përcaktuar të zëzën mbi të bardhë se gjatë fushatës elektorale, Partia Demokratike ka përdorur për qëllimin e saj mjetet publike dhe administratën e saj. Madje, nënvizohet se PD ka bërë presion mbi administratën për të votuar për koalicionin e djathtë. “Fushata elektorale kaloi e qetë, por pati edhe disa raste dhune. Debatet direkte mes kandidatëve dhe liderve ishin të kufizuara. Ndërsa partia në pushtet përdori mjetet publike dhe administratën për fushatë. Presioni mbi administratën për të votuar partinë në pushtet përpara zgjedhjeve njollosi fushatën”, thuhet në raport.

Përdorimi i kasetave
Hartuesit e raportit kanë evidentuar si problematike edhe vendimin që mori KQZ për përdorimin e kasetave (të montuara)të partive nga televizionet. “KQZ mori një vendim të kontenstueshëm që mediat të përdorin kasetat e partive. Televizioni Publik i dha përparësi dhe tone pozitive partisë në pushtet. Kuota prej 30% e grave në listat për deputet nuk u zbatua nga PS, LSI dhe PD”, thuhet në raportin e zbardhur të OSBE-ODIHR. OSBE- ODIHR ka renditur 29 rekomandime në këtë raport final. "Bazuar në zhvillimet para zgjedhjeve të 23 Qershorit ODIHR rekomandon se autoritetet dhe partitë politike duhet të ndërmarrin hapa të tjerë për mos të ushtruar presion ndaj të punësuarve në administratën publike për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës elektorale apo të votojnë në mënyrë të paracaktuar. Të tilla presione duhet të hetohen dhe të ketë ndëshkime në bazë të ligjit", shkruhej ne raport. Në rekomandimet 18 dhe 19 thuhet: “Abuzimi i aseteve shtetërore, përfshi ato njerëzore për qëllime elektorale mund të parandalohen duke vënë përpara përgjegjësisë ata të cilët përfshihen në lejimin e të tilla veprimeve, përfshi shtimin e veprimit nga autoritet përgjegjëse për të parandaluar blerjen e votës".
 


 Shkrimi u publikua sot (11.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Diell dhe temperatura deri në 15 gradë, parashikimi i motit për sot

Diell dhe temperatura deri në 15 gradë, parashikimi i motit për sot