Tirana do të mirëpresë në vitin 2027 Sesionin e Vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Vendimi u mor pasi Asambleja Parlamentare miratoi kandidaturën e paraqitur nga Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, e cilësoi këtë si një sukses për diplomacinë parlamentare shqiptare dhe një shenjë besimi ndaj angazhimit të Shqipërisë në kuadër të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Sipas tij, mbajtja e sesionit në Tiranë do të krijojë mundësi për diskutime mes delegacioneve mbi çështje që lidhen me demokracinë, sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, ndërsa do të shërbejë edhe për promovimin e Shqipërisë dhe të potencialit të saj si vend mikpritës.

“Kënaqësi të bashkëndaj lajmin se Asambleja Parlamentare e OSBE-së miratoi propozimin e Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë për organizimin e Sesionit të Vjeshtës 2027 në Tiranë me angazhimin e të gjitha vendeve anëtare të OSBE-së. Kjo arritje e rëndësishme për diplomacinë parlamentare shqiptare përveçse thekson rolin e saj aktiv dhe ofron një mundësi për diskutime mbi demokracinë, sigurinë, bashkëpunimin është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar mikpritjen, vlerat dhe potencialin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ky vendim është një vlerësim besimi ndaj rolit aktiv të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe një dëshmi e angazhimit për forcimin e dialogut parlamentar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, shkruan Klosi.