Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE) njoftoi sot se siguroi blerjen e sasisë së energjisë prej 82,080 MWh për periudhën 12- 30 qershor me vlerë 3.180.486.00 euro.

OSHEE ka njoftuar se garën mes 11 ofertave të paraqitura e fituan 4 kompani: GEN-I Tirana, GEN-I Beograd, GSA shpk, dhe EFT AG, ku 60% e sasisë së energjisë do të sigurohet nga GSA dhe EFT.

Çmimi mesatar me të cilin u ble energjia ishte 38.7 euro për MWh, nivel i krahasueshme me bursën e Hungarisë, HUPX.

OSHEE rinisi importin energjisë për mbulimin e humbjeve për gjysmën e dytë të muajit qershor, pasi nuk siguroi sasitë e nevojshme nga KESH, që nuk ka tepricë në prodhim nga reshjet më të pakta. OSHEE detyrohet të blejë energji elektrike për sasinë që konvertohet me humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë duke ftuar kompanitë që të marrin pjesë në gara të hapura ndërkombëtare.

Për muajin qershor në datat 01-11 qershor, humbjet e planifikuara në rrjetin e shpërndarjes u mbuluan nga prodhimi i energjisë nga KESH-i, ndërsa pas kësaj date, OSHEE  ju drejtua tregut per sasinë e nevojshme të energjisë 82,080 MWh nga 12-30 qershori. 

Marrë nga ATSH

Redaksia Online
(shqiptarja.com)