OSHEE po hedh një hap të ri drejt dixhitalizimit të operacioneve, duke përdorur Inteligjencën Artificiale si mjet mbështetës për analizën dhe menaxhimin e proceseve të përditshme. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hapur një tender për ngritjendhe zbatimin e një platforme të integruar IA, me një fond limit prej 98.65 milionë lekësh.
Projekti parashikon krijimin e një “motori inteligjent analitik” që do të përpunojë në mënyrë të vazhdueshme të dhënat e sistemeve operative të OSHEE-së. Platforma do të shërbejë për automatizimin e analizave në procese kritike, si matjet e energjisë, menaxhimi i rrjetit, mirëmbajtja, ndërprerjet dhe ngarkesat, duke synuar rritjen e saktësisë dhe uljen e gabimeve njerëzore.
Në thelb, sistemi është konceptuar si një asistent inteligjent për operatorët e OSHEE Group. Inteligjenca Artificiale do të mbështesë analizën e të dhënave, monitorimin e sistemeve dhe procesin e vendimmarrjes, pa zëvendësuar rolin e njeriut. Çdo veprim automatik që prek operacionet thelbësore do të kërkojë konfirmim të detyrueshëm nga operatori, çka synon të shmangë rreziqet nga ndërhyrjet e pakontrolluara.
Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një paneli monitorimi në kohë reale, të integruar me sistemet ekzistuese të OSHEE, si edhe zbatimin e një moduli rekomandues që do të sugjerojë veprime operative të bazuara në modele të Inteligjencës Artificiale, duke ndihmuar stafet teknike në marrjen e vendimeve më të shpejta dhe më të informuara.
Sipas objektivave të përcaktuara nga OSHEE, platforma pritet të zvogëlojë kohën e analizave deri në 80%, të përmirësojë saktësinë e tyre mbi 95% dhe të ulë gabimet manuale në leximin e matësave deri në 70%. Po ashtu, synohet rritja e produktivitetit të ekipeve operative dhe përmirësimi i cilësisë së të dhënave që përdoren në menaxhimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë.
Me këtë projekt, OSHEE synon të modernizojë mënyrën e funksionimit të sistemit të shpërndarjes, duke e orientuar atë drejt analizës së avancuar të të dhënave dhe përdorimit të teknologjive të reja, në një sektor ku efikasiteti operacional dhe saktësia janë vendimtare.
Komente











Bravo cuna ta gezojne tenderin e radhes or teeeejjjjj
Përgjigju