TIRANE, 19 Shkurt/ATSH/- Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) nis procesin për identifikimin e borxhit që i kanë kompanisë subjektet e dëmtuara nga përmbytjet në Veri gjatë periudhës 2010-2011.
Sipas burmeve zyrtare të kompanisë OSHEE, me anë të këtij procesi synohet evidentimi sa më i saktë i kontratave te furnizimit me energji elektrike të kategorive të prekura nga përmbytjet, që rezultojnë me debi ndaj OSHEE-së.
Nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme, janë gjithsej 13.506 subjekte të regjistruara me dëmtim të pronës "ndërtesë" dhe "bujqësi", emrat e të cilëve janë shfaqur në faqen zyrtare të kompanisë OSHEE si dhe në sportelet e Drejtorisë Rajonale të OSHEE Shkodër.
OSHEE bën të ditur se personat e listuar duhet të paraqesin pranë drejtorisë rajonale të OSHEE në Shkodër, fotokopje të kartës së Indentitetit, si dhe librezës së furnizimit me energji elektrike ose një faturë të energjisë elektrike. "Qytetarët duhet të paraqesin këto dokumentacione pranë drejtorisë rajonale të OSHEE, Shkodër. Afati i dorëzimit të dokumentacionit përkatës është data 7 mars", bën të ditur OSHEE./a.gjonaj//a.ke/