Prej katër ditësh në tregun e shumicës së fruta-perimeve në Gjirokastër mungon energjia elektrike. Shkak sipas tregtarëve është bërë koha e keqe e cila përfshiu vendin disa ditë më parë. Ata kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të kësaj situate pasi dëmet kanë qenë të konsiderueshme sepse shumica e produkteve ruhen në kushte frigoriferike.

"4 ditë sot që nuk kemi drita në tregun agro-ushqimor. Është djegur një kabull tek shtylla e korrentit. Jemi ankuar edhe tek zyrat e OSHEE-së  edhe tek bashkia. Përgjegjësinë ja hedhin njëri tjetrit. Mua m'u prish i gjithë malli. Produkti im mbahet në kushte frigoriferike. Nuk e di se kujt ti ankohem. Problem ka si nuk ka problem. Po nuk pati drirta e ujë ka problem" tha ai. 

Të pyetur nga televizioni Report Tv OSHEE sqaron se tregu furnizohet me energji nga një gabinë elektrike e cila është në pronësi të Bashkisë së Gjirokastrës. Kjo e fundit për zgjidhjen e kësaj problematike ka kërkuar suport nga ana e  OSHEE-së, e cila për riparimin e këtij defekti ka dërguar në terren punojnësit e saj.