OSLO - Presidentët e tre institucioneve kryesorë të Bashkimit Evropian, presidenti i Këshillit Evropian Hernman Van Rompuy, presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dhe Martin Schulz, i cili është presidenti i Parlamentit Evropian kanë marrë sot Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2012 nga Komitetit norvegjez i Paqes në Oslo.

Kryesuesi i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Thorbjorn Jagland hapi fjalimin e ceremonisë duke u shprehur se BE-ja mori këtë çmim për kontributin që ka dhënë për gjashtë dekada në “avancimin e paqes dhe pajtimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Evropë”.

Jagland theksoi se BE-ja ka ndihmuar në transformimin e Evropës nga një kontinent lufte në një kontinent paqeje dhe se Gjermania dhe Franca ndërmorën nismën e paqes pas Luftës së Dytë Botërore duke formuar një botë të re. Guri për themelimin e Bashkimit Evropian u vendos nga minsitri i Jashtëm francez Robert Schuman me nënshkrimin e Traktatit Themelues të Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut në Paris më 18 prill të vitit 1951. Gjithashtu ai nënvizoi se “rënia e murit të Berlinit 1989, bëri të mundur anëtarësimin e disa vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke hapur një kapitull të ri në historinë evropiane dhe se pranimi i Kroacisë në janar, nisja e bisedimeve për anëtarësim me Malin e Zi dhe kurorëzimi i Serbisë me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, janë procese që ndihmojnë pajtimin në Ballkan".

Më pas fjalimin e mori Hernman Van Rompuy duke thëne se “çmimi është një nder i madh dhe se në këto kohë të vështira që po luftohet për të zgjidhur krizën e bllokut, BE-ja mbetet një inspirim për vendet në mbarë botën.
Ceremonia u mbyll me fjalimin e presidentit të Komisionit Evropian Barroso duke nënvizuar se Evropa do të vazhdojë rrugën e saj me anë të fakteve konkrete.”

Në ceremoni morën pjesë krerët e lartë të shefa të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së.Çmimi 930 mijë eurosh do t’u jepet projekteve që i ndihmojnë fëmijët për të mbijetuar në zonat e luftërave.

(lc/Gre.M/Shqiptarja.com)