Për Kosovën, mikpritja e popullit afgan është një detyrim moral dhe ne duhet të bëjmë të pamundurën për tu siguruar strehë refugjatëve të cilët gjenden në të njëjtën situatë, ka deklaruar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një intervistë për kanalin televiziv britanik, Sky NEWS.
Osmani ka deklaruar se autoritetet po presin informacione lidhur me datën e saktë të arritjes së këtyre personave në Kosovë.
“Është vetëm çështje ditësh. Do të varet sigurisht në atë sesi do të organizohet transportimi i tyre, sepse procesi organizohet nga Shtetet e Bashkuara. Ne do ta dimë kohën e ardhjes së tyre ndoshta deri në fund të kësaj jave”, ka deklaruar ajo.
Numri i saktë i refugjatëve afganë që do të pranojë Kosova ende nuk dihet, por presidentja Osmani ka deklaruar se po punojnë në zgjerimin e kapaciteteve për të pranuar sa më shumë prej tyre.
“Ne veçse jemi gati t’i pranojmë refugjatët e parë. Tani ne po i rrisim kapacitetet që të mund të pranojmë më shumë. Prandaj nuk mund të përmend numrin final të refugjatëve që do të vijnë derisa të përfundojë studimi i secilit lokacion që mund t’i pranojmë ata në Kosovë”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, pesë qytetarë kosovarë deri më tani janë evakuuar nga Afganistani dhe Ministria e Jashtme e Kosovës ka vënë në dispozicion linja telefonike për qytetarë tjerë që mund të kenë nevojë për evakuim nga atje.
Kosova ka qenë ndër shtetet e para që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA-së për të strehuar afganët, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat amerikane, pasi talebanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit.
Lajmi kryesor: