Osmani: Serbia po kërcënon me dhunë për shkak se Kosova po zbaton ligjin

Osmani: Serbia po kërcënon me dhunë për shkak se Kosova po zbaton ligjin

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia po kërcënon “me dhunë dhe barrikada”, për shkak se Kosova po zbaton ligjin, kur bëhet fjalë për riregjistrimin e makinave nga targat serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Këto deklarata të presidentes Osmani vijnë pak kohë pasi Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë - kërcënoi se do të bllokohen rrugët në veri të Kosovës, nëse autoritetet në Kosovë, pas 31 tetorit – kur thuhet se skadon afati për riregjistrimin e makinave – konfiskojnë targat dhe veturat e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.

“Serbia është shtet që kërcënon me masa antiligjore pse Kosova po e zbaton ligjin. Krejt kjo shpjegon gjithçka, pra Serbia po kërcënon me dhunë pse Kosova po zbaton ligjit. Kjo është ajo piktura e madhe që insistojmë që të gjithë ta shohim, që është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit, çështje e respektimit të parimeve dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, të cilat Kosova po i respekton. E tëra që po bëjmë është që po e zbatojmë ligjin dhe po i mbrojmë të gjithë qytetarët pa dallim. Dhe si rezultat i kësaj, Serbia po kërcënon me dhunë, me barrikada të cilat siç e dini janë shkelje e lirisë së lëvizjes”, tha Osmani gjatë një konference për media në Prishtinë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Osmani tha se Kosova po punon me të gjithë partnerët e saj të që mos lejojë, siç tha ajo “skenarët rusë” për destabilizimin e Ballkanit.

“Ne do të punojmë bashkërisht me të gjithë partnerët tanë që të mos lejojmë që këto skenare ruse të kenë vend në Ballkanin Perëndimor, dhe të mos lejojmë që përderisa Serbia ka zgjedhur të vallëzojë me melodinë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, që të kenë rezultate në tensionimin dhe destabilizimin e rajonit tonë. E gjithë puna jonë është në koordinim me aleatët tanë që ta mbrojmë paqen, stabilitetin, demokracinë e arritur, por mbi të gjitha të sigurojmë sundim të ligjit për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim etnie”, tha Osmani.

Ajo përmendi edhe rastin e fundit të djegies së një veture në Leposaviq më 26 tetor, që sapo kishte konvertuar targat në RKS.

“Ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë që po respektojnë dhe zbatojnë ligjet, që po i ndërrojnë targat, si rezultat i kësaj po u digjen shtëpitë dhe makinat. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale dëshmojnë se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, tha Osmani.


Lajmi kryesor:

Reciprociteti i targave, serbët paralajmërojnë barrikada! Osmani: Respektojmë ligjin, s’tërhiqemi! Vuçiç: Do bëjmë rezistencë, s’iu lejojmë të na vrisni


Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:44
Ursula von der Leyen takon Kurtin: Do e mbështesim Kosovën në çdo mënyrë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen është takuar ditën e sotme me kryeministrin e Kosovë, Albin Kurti në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Prishtinë.

Von der Leyen ka shprehur mbështetjen e plotë të BE-së për liberalizimin e vizave të Kosovës. Presidentja e Komisioni të BE-së thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se diskutimet për këtë çështje kanë ri filluar.

 

Ora 11:51
BE-ja do të ndajë 75 milionë euro për Kosovën për të zbutur krizën energjetike! Von der Leyen: Pa Prishtinën ‘Unioni’ nuk është i plotë

Bashkimi Evropian pritet të ndajë 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike. Kështu ka bërë të ditur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila vizitoi Kosovën më 27 tetor.

“Ne do të finalizojmë të gjitha procedurat e nevojshme deri në fund të vitit që ju të mund të merrni fondin që në janar”, tha ajo në një konferencë të përbashkët pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Evropa aktualisht po përballet me një krizë energjetike si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë. Furnizimi me gaz për ngrohje, por edhe energji elektrike është paralajmëruar se do të vështirësohet gjatë këtij dimri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke falenderuar BE-në për këtë mbështetje, tha se “është vendimtare që BE-ja të “na qëndrojë pranë dhe të na mbështesë me përballje me krizat, si ajo energjetike”. Kosova siguron shumicën e furnizimit me energji elektrike përmes prodhimit të saj me qymyr. Nevoja për import të energjisë rritet gjatë dimrit, pasi kapacitetet vendore nuk mbulojnë nevojat për gjithë vendin.

Përveç mbështetjes së menjëhershme për krizën aktuale, Von der Leyen tha se pritet të ketë një investim tjetër prej 500 milionë eurosh për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Duam t'iu ndihmojmë në pavarësinë tuaj energjetike. Qasja jonë është se do të ofojmë mbështetje të fortë për të ndërtuar kapacitete të reja, për të zëvendësuar qymyrin me energji të ripëritshme”, tha ajo.

 “Po punohet në bindjen e skeptikëve për liberalizimin e vizave për Kosovën”

Përveç çështjes së energjisë që, ishte arsyeja kryesore për vizitën e Von der Leyen në Kosovë, zyrtarja e lartë evropiane foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ju dëgjoj qartë në çështjen e liberalizimit të vizave. E dini se keni një aleat dhe mua personalisht. Kosova e meriton liberalizimin e vizave. I keni përmbushur të gjitha kushtet”, tha Von der Leyen.

Rikujtojmë se Komisioni Evropian, që udhëhiqet nga Von der Leyen, tashmë ka rekomanduar dy herë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Megjithatë, në diskutimet brenda Këshillit të BE-së, ka shtete, përfshirë Francën, që kanë vënë në diskutim kushte të reja sa i përket liberalizimit.

“Detyra jonë është të bindim të gjithë vendet e Këshillit Evropian”, ka thënë Von der Leyen.

Më 13 tetor, në takimin e grupit punues për viza të Këshillit të Bashkimit Evropian, zyrtarët e Francës kushtëzuan procesin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit të sigurisë në Evropë, ETIAS.

Sistemi ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem elektronik mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen.

Procedura ligjore për të miratuar këtë sistem ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 - pa ndonjë datë të saktë. Von der Leyen do ta vazhdojë turneun në Bosnjë e Hercegovinë më 28 tetor dhe më pas në Serbi. Këtë turne nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, presidentja e Komisionit Evropian do ta përmbyllë me vizitë në Mal të Zi, të shtunën, më 29 tetor./ REL

/SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ben Andoni: PD-ja përballë protestave, por pa publikun?!

Ben Andoni: PD-ja përballë protestave, por pa publikun?!