TIRANE- Lumenjtë në vendin tonë po kthehen gjithnjë e më shumë në një vatër të madhe infeksioni. Kjo pasi në të përfundojnë jo vetëm ujërat e zeza por edhe gjithë mbeturinat e banorëve. Një situatë e tillë ka pushtuar edhe lumin Osum. Përgjatë bregut të lumit kalon edhe shëtitorja e qytetit të Beratit, e cila nuk mund të frekuentohet për shkak të erës së rëndë. Të ndërgjegjshëm për situatën e krijuar përgjatë 20 vjetëve, institucionet lokale promovojnë vit pas viti projekte për pastrimin e lumit, të cilat mbeten vetëm në letër. "Bashkia Berat në bashkëpunim me studion franceze ka hartuar studimin e fizibilitetit për lumin Osum ku përfshihet jo vetëm ndërtimi i argjinaturave, përfitimi i bankinave, pse jo sistemimi i ujërave të ndotura që derdhen në lumin Osum. Ky është një investim që i kalon mundësitë financiare të bashkisë së Beratit", - shpjegon Mirela Buhuri, specialistja e Mjedisit në bashkinë e Beratit. Ndërtimet e reja dhe mungesa e një projekti për kanalizimin e ujërave të zeza si edhe mungesa e një fushe për grumbullimin e mbeturinave, e kanë degraduar lumin Osum në atë masë që është e pamundur që ai të kthehet në gjendjen e mëparshme.
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)










