Otranto, arrestohen 4 shqiptarë
me 1 ton drogë, vlera 8 mln euro

Otranto, arrestohen 4 shqiptarë<br />me 1 ton drogë, vlera 8 mln euro
OTRANTO – Mbi një ton marijuanë e sekuestruar, katër shqiptarë të arrestuar dhe të paktën dy shqiptarë të tjerë në kërkim pas një operacioni mbrëmë natën në ujërat e Otrantos të policisë italiane.
 
Pikërisht pak pas mesnatës u pikas duke iu afruar bregut me shpejtësi të madhe një motoskaf i dyshimtë. Motoskafi u pikas nga një avion islandez gjatë operacionit ndërkombëtar  “Aeneas 2013”, promovuar nga agjencia europiane, Frontex, në lokalitetin e Frassanito-s, në veri të Otrantos.
 
I vërejtur nga sipër, megjithë errësirën, u dyshua se ishte ngarkesë lëndësh narkotike. Motoskafi u mbajt nën kontroll deri në breg, aty ku gjithçka u bë më e qartë, teksa skafistët afër zonës Conca Specchiulla nisën të shkaronin sasi të ndryshme nëpër çanta, njëra pas tjetrës, ndërsa policia ishte fshehur në shkurre.
 
Pasi menduan se puna mbaroi, skafistët rimorën gjirin. Ndërkohë, aeroplani dhe një roje bregdetare kishin dërguar në zonë një anije shumë të shpejtë të seksionit operativ detar të Otrantos. Ushtarakët e shquan motoskafin, kur ai po i largohej policisë financiare.
 
Të kapur në befasi, skafistët kanë ndryshuar shpejt drejtim, duke u larguar me shpejtësi të madhe drejt bregut salentin për ta braktisur më pas motoskafin dhe për të ikur në këmbë.
 
Ndërkohë, në tokë patrullat e seksionit detar bashkë me ushtarakë të tjerë të policisë financiare të Otrantos gjetën drogën e fshehur në 37 çanta. Dhe brenda 1104 kg marijuanë me vlerë 8 milionë euro. Një nga shqiptarët ishte lënë të ruante çantat, por ai ra në pranga i pari.

Kërkimet për dy të arratisurit vijuan deri afër mëngjesit. Ndërsa tre shqiptarë të tjerë u arrestuan gjatë rrugës. Të gjithë nga mosha 25-40 vjeç, të cilët kanë deklaruar se janë nga Vlora. Por në apel mungonin dy prej tyre.
 
Asnjë prej tyre nuk kishte dokumenta. Të gjithë kanë lëshuar të dhëna vetjake, të cilat po verifikohen nga autoritetet italiane në bashkëpunim me ato shqiptare. Dyshohet se mund të mos jenë reale.  Paraprakisht, të arrestuarit sipas deklarimeve të tyre janë: V.T., 40 vjeç, D.F., 23 vjeç, B.D.,25 vjeç, B.Z., 26 vjeç, të gjithë nga Vlora.  

Hetimet vijojnë për të zbuluar edhe se kush ishte destinacioni i marijuanës. Trafiku nga të dy anët e kanalit të Otrantos vijon. Mjafton të mendosh që në mbi 6 muaj e gjysmë janë ndaluar drejt brigjeve puljeze 5 ngarkesa, janë arrestuar 13 skafistë dhe janë sekuestruar afërisht 5 ton lëndë e ndaluar.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Rikthehen deputetët, të hënën rinis Parlamenti! Sfidat/ Sesioni i ri me probleme të vjetra, çështja 'Xhaçka’ e para

Rikthehen deputetët, të hënën rinis Parlamenti! Sfidat/ Sesioni i ri me probleme të vjetra, çështja 'Xhaçka’ e para